Evakuimi i qytetarëve afganë/ Pakistani pritet të rinisë fluturimet nga aeroporti i Kabulit

Një zëdhënës i Pakistan International Airlines (PIA) tha se kjo kompani ajrore planifikon që të rinisë fluturimet nga Kabuli gjatë javës së ardhshme, me qëllim që të ndihmojë në evakuimin e njerëzve që duan të largohen nga Afganistani.

Zëdhënësi i PIA-s, Abdullah Hafeez Khan i tha agjencisë së lajmeve AFP se kjo kompani ka pranuar “të gjitha lejet teknike që operacionet e fluturimeve” të rifillojnë. Ai tha se fluturimi i parë special i PIA-s nga Kabuli do të realizohet përmes avionit të tipit Airbus A320 që do të fluturojë nga Islamabadi më 13 shtator.

Megjithatë, nga PIA thanë se është ende e paqartë se kur do të rinisin shërbimet e rregullta komerciale nga Kabuli.

Që prej se talibanët morën nën kontroll Afganistanin dhe trupat ndërkombëtare u tërhoqën nga vendi, janë realizuar pak fluturime nga Kabuli.

Khan po ashtu deklaroi për Dpa-në se këto fluturime speciale nuk duhet të shihen si “operacione të rregullta”, por si “shërbime të porositura”.

Ai tha se PIA është kontaktuar nga misione dhe agjenci të huaja – përfshirë Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Banka Botërore – si dhe organizata mediale dhe humanitare, që po tentojnë të evakuojnë njerëz nga Kabuli.

PIA është një prej shërbimeve të pakta që ka operuar menjëherë pasi talibanët më 15 gusht morën kontrollin e Kabulit. Zyrtarët e kësaj kompanie ajrore kanë thënë se të paktën 1,460 të nacionaliteteve të ndryshme janë evakuuar me avionët e kësaj kompanie në periudhën 15-22 gusht.

Por, më 22 gusht, PIA njoftoi se ka “pezulluar përkohësisht” fluturimet ndërmjet Kabulit dhe Islamabadit për shkak të mungesës së objekteve dhe “plehrave të grumbulluara” në pistë.

Mediat në Pakistan kanë cituar autoritetet në Islamabad të kenë thënë se janë të shqetësuar që plehrat që janë hedhur në aeroportin e Kabulit mund të çojnë në ndonjë aksident tragjik.

Po ashtu një fluturim i Qatar Airways është realizuar më 9 shtator me 200 njerëz në bord. Ky ishte fluturimi i parë nga aeroporti i Kabulit, që prej se talibanët morën nën kontroll aeroportin pasi trupat e fundit amerikane u larguan më 31 gusht./REL