EUROSTAT/ Në vitin 2020, 37.592 shtetas shqiptarë morën leje qëndrimi për herë të parë në një nga vendet e Bashkimit Europian

Eurostat ka publikuar shifrat se në vitin 2020 morën leje qëndrimi për herë të parë në një nga vendet e Bashkimit Europian 37,592 shtetas shqiptarë.

52% e tyre e morën për arsye familjare, 16% për punë, 3% për edukim dhe më pas renditen arsye të tjera, pa u specifikuar.

Në krahasim me një vit më parë, numri i lejeve të qëndrimit të dhëna për shtetasit shqiptarë ka rënë me 38%, i ndikuar nga situata e krijuar nga pandemia.

Në rajon, numrin më të lartë të lejeve të qëndrimit të dhëna për vitin 2020 e mban Serbia, me 40.8 mijë, më pas Shqipëria (37.6 mijë) e ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina (35.1 mijë), Kosova (31.6 mijë), Maqedonia e Veriut (16.3 mijë), Mali i Zi (2.7 mijë).

Europa

Sipas Eurostat, në vitin 2020, Bashkimi Europian dha rreth 2.2 milionë leje qëndrimi për herë të parë për qytetarët jo-BE. Numri u ul me 24% (ose -706 000) në krahasim me vitin 2019, rënia e parë në trendin rritës të vërejtur midis 2013 dhe 2020.

Rënia erdhi kryesisht për shkak të pandemisë COVID-19 dhe kufizimeve të lidhura me udhëtimin dhe reduktimin e aktivitetit të administratës, i vendosur nga autoritetet kombëtare.

Në vitin 2020, 38% më pak (-153 000) leje qëndrimi u lëshuan për arsye të lidhura me arsimin në krahasim me vitin 2019. U shënua gjithashtu një rënie prej 25% e lejeve të qëndrimit për arsye të lidhura me punësimin (-294 000), një rënie 23% për arsye familjare (-189 000) dhe një rënie prej 13% për arsye të tjera, përfshirë mbrojtjen ndërkombëtare (-72 000).

Punësimi ishte arsyeja kryesore pse njerëzit morën një leje qëndrimi në BE në vitin 2020, duke përbërë 40% të të gjitha lejeve të qëndrimit. Arsyet familjare përbënin 28%, arsimi 11%, ndërsa arsyet e tjera, përfshirë mbrojtjen ndërkombëtare, përbënin 21%.

Në vitin 2020, Polonia lëshoi më shumë se një të katërtën e të gjitha lejeve të qëndrimit për herë të parë të dhëna në BE për qytetarët jo-BE (598 000, ose 26% të totalit të lejeve të lëshuara në BE), e ndjekur nga Gjermania (313 000, ose 14% – shih shënimet më poshtë) dhe Spanja (312 000, ose 14%).

Rritja e vetme në numrin e përgjithshëm të lejeve të lëshuara në vitin 2020 në krahasim me vitin 2019 u regjistrua në Lituani: 5% (nga 21 400 leje në 2019, në 22 500 leje në 2020).

Nga ana tjetër, rënia më e madhe në numrin e përgjithshëm të lejeve të lëshuara në vitin 2020 në krahasim me vitin 2019 u regjistrua në Çeki: 54% (nga 117 000 leje në 2019, në 54 300 leje në 2020), e ndjekur nga Greqia (53%) dhe Malta (48%).