Eurodeputeti austriak: Heqja e vizave për Kosovën është urgjente dhe e rëndësishme

Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl ka thënë se Kosova ka përmbushur prej një kohe të gjatë kriteret për liberalizimin e vizave. Mandl në një postim në “Twitter” ka shkruar se liberalizimi i vizave për Kosovën është urgjente dhe e rëndësishme.

“Në programin qeverisës të Gjermanisë në mënyrë eksplicite përmendet liberalizimi i vizave për Kosovën. Kjo është urgjente dhe e rëndësishme. Kriteret janë përmbushur për një kohë të gjatë. Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian kanë rënë dakord prej kohës dhe duhet mbështetje e plotë parlamentare”, ka shkruar Mandl.

Marrëveshja e koalicionit e tre partive gjermane që do të formojnë qeverinë e re federale ka përmendur liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Ne mbështesim integrimin evropian të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe, në këtë kuptim, reformat e nevojshme për të përmbushur të gjitha kriteret e Kopenhagës”, thuhet në marrëveshje.