Eskluzive/Nga 1 janari 5-fishohet pragu i TVSH-së, ç’ndodh me 46 mijë bizneset që ishin në skemë

Aktualisht pragu i regjistrimit në tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH) ka vlerën 2 milion lekë, ndërsja nga 1 janari  do të rritet në 10 milionë lekë.

Referuar tatimeve, numri i bizneseve që kanë deklaruar TVSH me xhiro nën 10 milionë lekë është 46.1 mijë. TVSH e paguar nga kjo fashë në vitin 2019 ishte 3.4 miliardë lekë.

Tatimet sqarojnë se nëse personi i tatueshëm i cili me parë ka qenë i regjistruar në regjimin normal të TVSH-së dhe deri në 31. 12.2020 nuk ka realizuar një qarkullim prej 10 000 000 (dhjetë milionë) lekësh, personi i tatueshëm  do të ç’regjistrohet nga TVSH-ja bazuar ne VENDIMN Nr. 953, datë 29.12.2014 PËR DISPOZITAT ZBATUESE TË LIGJIT NR. 92/2014, “PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË” I NDRYSHUAR  Neni 11 “Përcaktimi i kufirit minimal të regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH)”.

Sipas tatimeve, të gjithë personat e tatueshëm, të cilët deri ne 31.12.2020  kanë pasur  mallra stok (inventar) të pa-shitura, ose mallra kapitale, aktive të tjera të përdorura për veprimtarinë, ku TVSH-ja mbi këto mallra ka qenë tërësisht apo pjesërisht e zbritshme, këto mallra do të konsiderohen si furnizim kundrejt pagesës dhe personi i tatueshëm është i detyruar të llogarisë ose rregullojë TVSH-në për këtë furnizim.

Personi i tatueshëm që çregjistrohet nga regjimi normal dhe kalon në regjimin e bizneseve të vogla, ose kur është regjistruar vullnetarisht për TVSH-në, detyrohet të paraqesë këto furnizime në deklaratën e TVSH-së të periudhës së fundit që është i regjistruar për TVSH-në ( deklarata dhjetor 2020).

Personi i tatueshëm është përgjegjës për të përmbushur çdo përgjegjësi për TVSH-në që nga momenti që është regjistruar deri në momentin që çregjistrohet nga TVSH-ja, sipas informacionit të tatimeve.