Erzeni i “përmbyti” të gjithë skeptikët, realiteti i bukur i Superiores

Nga Prof. Dr. XHEVDET ZEKAJ


Kur Vllaznia u mund nga debutuesit shijakas qysh në javën e parë, kritika të shumta shpërthyen ndaj kuqebluve të Shkodrës nga të katër anët. U konsiderua turp disfata ndaj Erzenit, që gjatë verës u përfol deri atje sa nuk do të mund të merrte pjesë në kampionat për shkaqe financiare. Megjithatë, ajo “ëndërr e keqe” hipotetike ia la vendin jo vetëm një merkatoje cilësore, pjesëmarrjes në Superiore, por edhe rezultateve që tashmë nuk mund të konsiderohen surprizë dhe të rastësishme. Kujtojmë se pas “kurbanit” Vllaznia në inaugurimin e sezonit debtues në Superiore, skuadra shijakase ka mposhtur edhe Partizanin e Lacin, dy skuadra pretendente për titull në letër. Barazimet pa gola ndaj Kastriotit dhe Teutës janë po ashtu rezultate që dëshmojnë potencialin real të shijakasve. Konkretisht, në 5 ndeshjet e para të këtij kampionati, Erzeni ka fituar 3 prej tyre dhe ka barazuar 2, me golaverazhin total 3-0. Pra, sikurse duket, skuadra e drejtuar nga Xhevahir Kapllani nuk ka pësuar ende asnjë gol, një rekord vërtet për t’u mburrur, si askush tjetër në Superiore deri tani. Vendi i dytë në klasifikim, me 11 pikë, vetëm një të tillë më pak se Partizani, është kredenciali tjetër që konfirmon një realitet të bukur, kurrsesi më rastësi. Duke parë trajektoren e skuadrës shijakase, ia vlen ta quajmë “hirushja” e Superiores. Pa tam-tame boshe, por me shumë punë dhe kokën ulur, duke luajtur jo në shtëpi, por në “Niko Dovana”, skuadra shijakase meriton vlerësimin maksimal deri në këtë moment. Në futboll flitet me rezultate dhe pikërisht këtë po bën Erzeni, pa u vënë aspak në sedër nga askush. Nëse të gjithë mosbesuesit e kanë marrë përgjigjen në fushën e blertë, së fundi e mori edhe Safet Gjici, që tha se “një lojtar i Kukësit paguhet sa krejt Erzeni”. Mjafton të shihni renditjen aktuale, ku Kukësi është i fundit, ndërsa shijakasit me kredencialet që i përmendëm më lart, për të kuptuar se futbolli nuk luhet “majë krahu”, por me përkushtim, menaxhim të mirë, drejtim profesional teknik.