Ervin Qafmolla risjell në memorje kohët e vuajtjeve në komunizëm/ “Pash pantallonat e një fatkeqi të internuar, Gjon Vatnikaj, të qepura me flokët e nënës së tij”

Në këtë fotografi paraqiten tre terroristë shqiptarë gjatë Diktaturës Enveriste; ndonëse ky nuk është përshkrimi zyrtar i materialit të ekspozuar në pavijonin e krimeve të komunizmit në Muzeun Historik Kombëtar.

Diku përballë fotove të shumta të kriminelëve të regjimit, në një ekspozitor horizontal, syri më zuri aurën e një përmbajtjeje veçanërisht të mbrapshtë.

I rrethuar nga kafka dhe zinxhirë, në një farë pike, tmerri i përsëritur deri në inflacion zor se mund të tronditë më shumë.

Por ai kolazh zhelesh, vendosur si vepra qendrore e një kompozimi me të gjerë të persekutimit enverist, ishte një himn kushtuar llahtarit. Ishte kufoma e një veshjeje, e cila mundej vetëm të vlerësohej përmes autopsisë së një dëshire që ishte orvatur të imitonte hijen e lagët të një rrobeje. Një kanavacë fatkeqe e përbërë nga tekstile të formave, ngjyrave dhe përbërjeve të ndryshme, të vendosura me pahir me njëra-tjetrën, kishte prodhuar një zhele të madhe të përbërë nga një mori zhelesh të vogla.

Ishe e natyrshme të hamendësoje se në një farë pike retrospektive, kjo masë arnash kishin qenë pantallona konvencionale. Por vrimë pas vrime, shqyerje pas shqyerjeje dhe qepje pas qepjeje, rezultati final në vite dhe ndoshta dekada, ishin arnat që kishin zëvendësuar të gjithë pëlhurën origjinale.

Pyetjes se çfarë ishe ajo veshje e përzishme, i përgjigjej përshkrimi i saj. Aty shpjegohej me pak fjalë se ato ishin pantallonat e një fatkeqi të internuar, Gjon Vatnikaj, të qepura me flokët e nënës së tij. Konteksti është gjithçka. Nëse veshja ishte një kanavacë e mjerë dhe orgurzezë, realiteti i ngjizjes krijonte një kryevepër të terrorit të kulluar, të pandotur nga ndonjë impuls tjetër. Llahtari, pezmatimi, zemërimi dhe një mori ndjesish të tjera kanë gjasa të shtresëzohen mbi vëzhguesin, me peshën e një traume të beftë dhe të papërshkrueshme.

I gjithë vëzhgimi zgjati më pak se 10 sekonda, por duke bërë hapa mbrapsht i shtangur, kuptova që kjo ishte gjëja më e tmerrshme që më kujtohej të kisha parë në gjithë jetën time. I paimagjinueshëm mjerimi i internimit, e pashpjegueshme frika dhe shpërfillja e njerëzve të tjerë atypari, të cilët nuk i ndihmuan fatkeqët qoftë edhe me një rrobë të grisur. Thuajse absurd gjakimi për të jetuar dhe shtysa për të shpresuar.

Nuk më shkoi ndër mend t’i bëja një fotografi. Thjesht mendimi mund të përbënte mungesë respekti, sakrilegj ndaj një Monumenti të Përuljes Absolute ndaj vuajtjeve të njerëzve përballë demonëve.

Kështu, i ngarkuar me barrën e një traume të papërjetuar më parë, zemërthyer dhe i çoroditur, vizitori lëviz drejt daljes. Aty është një farë këndi kushtuar Nënë Terezës, i cili për arsye kontekstuale por edhe estetike, ofron vetëm pak ngushëllim jonkontekstual, dhe aspak shëlbim. Vëzhguesi ecën dhe del jashtë ndërtesës i tronditur.

Në një farë shpërfilljeje kuratoriale dhe empatike, ata që krijuan pavijonin e krimeve dikur nuk e kanë parë të arsyeshme të vendosnin pas tij edhe ndonjë shtesë të mëvetëshme që të kremtonte rrënimin e regjimit, apo diçka të ngjashme – jo thjesht për arsye historike sesa për funksione terapeutike të vizitorëve që dalin nga ajo ndërtesë fill pasi kanë parë atë pavijon. Dhe nëse krijuesit e pavijonit në fjalë nuk e patën këtë ndjeshmëri ndaj publikut, ndoshta ka hapësirë që empatia e munguar të ushtrohet në ditët tona.


Ps: Aranit Çela vazhdoi të shëtisë i patrazuar në bulevard edhe pas rënies së diktaturës. Vdiq i qetë nga shkaqe natyrore në vitin 2018.