Erion Veliaj inspekton punimet e fundit në shkollën e re “Lasgush Poradeci” në Kombinat: Po sigurohemi që nxënësit të kenë jo vetëm klasa moderne, por edhe auditorë e palestra

Shkolla e re “Lasgush Poradeci” në Kombinat është gati të presë 1300 nxënës, shumë herë më e bukur, me auditorë, laboratorë modernë si dhe me fusha sportive.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj inspektoi punimet e fundit që po realizohen para hapjes së saj prej nga theksoi se çdo shkollë që po ndërtohet në kryeqytet është shumë herë më e mirë se ato që janë hapur para saj.

“Është padyshim shkolla më e bukur sot në Republikë! E kam thënë këtë edhe për shkollat “Kosova”, “Servete Maçi”, “Hasan Vogli”, “Qazim Turdiu”, “Vaçe Zela”, “Kristo Frashëri” se kur i ndërtuam ato, nuk kishim parë shkolla më të mira. Por, është fakt se çdo shkollë e re, po bëhet më e mirë se ato që sapo kemi përuruar. Me standardin që kemi vendosur me shkollat në Tiranë, ku çdo shkollë ka një auditorium, siç kemi auditoriumin “Tonin Arapi” te Liceu apo “Avni Mulën” te “Servete Maçi”, po sigurohemi që nxënësit të kenë jo vetëm kushte apo klasa moderne, por edhe auditorë, palestra, klasa sportive”, nënvizoi Veliaj.

Por, krahas shkollës së re, në Kombinat do të hapet dhe Qendra e re sociale, e cila do t’u vijë në ndihmë të gjithë atyre që janë në vështirësi ekonomike. Kryebashkiaku Veliaj paralajmëroi të gjithë ata që tentojnë të shfrytëzojnë një fatkeqësi për të bërë politikë, se do të gjejnë fundin e karrierës politike.

“Investimi i dytë që mbaron në Kombinat është qendra sociale për njerëzit në nevojë, për ata me ndihmë ekonomike, për të moshuarit që ndoshta i kanë fëmijët jashtë dhe tek ajo qendër sociale kanë edhe mensën, kanë edhe kujdesin. Duam që Viti i Ri t’i gjejë në qendrën sociale, e cila për ta ka qenë si një shtëpi e dytë. Mandej po vazhdojmë me ndërtimin e pallateve për të prekurit nga tërmeti. Për sa kohë që vazhdojmë ta paguajmë – dhe do ta paguajmë deri në ditën e fundit – qiranë e secilit që i është prekur shtëpia nga tërmeti, nuk duhet të shqetësohet askush. Kurse, ata që duan ta shfrytëzojnë këtë për të bërë politikë, po ju themi edhe njëherë se Bashkia e Tiranës, me projektet e saj, i ka ndërprerë disa karriera – ku ishin dhe ku janë sot ata që protestonin për këndin e lodrave, nga Presidenti deri te deputeti me patllake? Ku janë ata që bllokonin Astirin apo projektet e tjera?! Karrierat e tyre morën fund”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë u shpreh se projekti i rindërtimit është për të ndihmuar nevojtarët dhe jo për të pasuruar ata që merren me parti. “Në këtë shkollë do vijnë si të majtë dhe të djathtë. Tek ajo qendra sociale do vijnë të moshuar, si të majtë dhe të djathtë. Tek pallatet e reja që po bëjmë në anën tjetër të rrugës, do banojnë si të majtë dhe të djathtë. S’po diskriminohet askush! Por, ta bësh këtë për politikë, t’i përçash njerëzit, t’i fusësh që të theren me njëri – tjetrin, më vjen keq! Kush ka 4 dyqane, nuk është ky projekti që ju ndihmon, sepse ky është një projekt për të ndihmuar nevojtarët, nuk është për të pasuruar ata që merren me parti dhe që bubrrojnë me partitë nëpër lagje. Është projekt solidariteti, nuk është projekt për të zëvendësuar dyqanin tënd të 4 dhe të 5, apo shtëpinë tënde të 3 apo të 4, kur del në hipotekë që ti ke pafundësisht shtëpi të tjera dhe këtë e kishe dhënë me qira. Për të gjitha këto arsye, ne do ndihmojmë atë që ka nevojë, nuk do tërhiqemi nga asnjë projekt. Shtëpitë e reja do jenë më të mira se të vjetrat, do kenë më shumë vlerë se të vjetrat, dhe do jenë me standard shumë herë më të larta ndërtimi se të vjetrat. Lum kush do jetojë tek “5 Maji” dhe në Kombinat, që do jenë lagjet më të mira në Tiranë”, deklaroi Veliaj, teksa shtoi se prova më e qartë për këtë është shkolla e re “Lasgush Poradeci” dhe qendra e re sociale.

Shkolla e re “Lasgush Poradeci”, që pritet të hapë së shpejti dyert për nxënësit, po rindërtohet me ndihmën e Fondit të Zhvillimit të Katarit. Ky institucion i ri arsimor do të plotësojë të gjithë nevojat e nxënësve të Kombinatit.

https://www.facebook.com/ErionVeliaj/videos/4718397911551860