Erdogan: Turqia duhet të përqendrohet shumë më fuqishëm në prodhim, investim, punësim dhe eksport

Ky vlerësim i kreut të shtetit turk erdhi gjatë një fjalimi drejtuar Këshillit Ekonomik të Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Bursave të Republikës së Turqisë (TOBB), mbajtur në Ankara, ku ai vlerësoi zhvillimet ekonomike të vendit dhe theksoi se nuk duhet lejuar që investitorët të shtypen nga normat e larta të interesit.

Duke i ftuar sipërmarrësit e huaj që të investojnë në Turqi, Erdogani vijoi me këto fjalë: “Ne s’duhet të lejojmë që investitorët tanë të shtypen nga normat e larta të interesit. Para nesh është një periudhë e re. Tani ne duhet të fokusohemi më fuqishëm në prodhim, investim, punësim dhe eksport. Ne tani jemi në një periudhë ku as rritja e marshit të shpejtësisë nuk mjafton, por duhet të ndryshojmë mjetin. Sidoqoftë, ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka që nevojitet”, tha ai duke shprehur përkushtimin e qeverisë për të bërë gjithçka nevojitet për të arritur objektivat.

Gjatë fjalimit të tij, lideri turk foli edhe për suksesin e vendit të tij në ekonomi.

“Me reformat që kemi realizuar, vendi ynë është renditur në vendin e 33-të të indeksit të lehtësisë së bërjes biznes në mesin e 190 vendeve, një përmirësim me 27 vende”, u shpreh ai.

“Tani është e sigurt se ne do ta mbyllim tremujorin e tretë me një rritje të fuqishme sipas të dhënave paraprake të muajit shtator. Duke e ruajtur disiplinën financiare, do të vazhdojmë rrugëtimin tonë me fokus në rritje dhe punësim. Prodhimi ynë industrial është rritur. Ne do të sigurojmë stabilitetin financiar së bashku. Prioriteti ynë kryesor është lufta me inflacionin. Synimi ynë është që ta ulim inflacionin në nivele njëshifrore sa më parë të jetë e mundur. Vendi ynë e ka lënë prapa epokën përgatitore dhe tani po hyn në një periudhë rritjeje”, shtoi Presidenti Erdogan.

Ai vlerësoi gjithashtu punën e spitaleve rajonale dhe sistemin e përgjithshëm të sigurimeve shëndetësore duke theksuar se këto janë një histori suksesi.

“Shpresoj që vitin e ardhshëm t’i kujtojmë këto ditë me një buzëqeshje të hidhur duke i lëne pas të gjithë këto vështirësi”, u shpreh Erdogani mes të tjerash.

Duke potencuar se janë të vetëdijshëm për problemet e shkaktuara nga masat e vendosura për të parandaluar pandeminë e llojit të ri të virusit korona, presidenti turk tha se po përpiqen t’i kapërcejnë këto probleme duke përdorur të gjitha instrumentet shtetërore. /TRT