Erdogan: Nuk do të hezitojmë të ushtrojmë të drejtat sovrane

Presidenti Rexhep Tajip Erdgoan (Recep Tayyip Erdoğan) ka publikuar një videomesazh me rastin e festës së Kurban Bajramit, ku uron që ky bajram të sjellë të mira dhe begati për popullin turk dhe të gjithë botën islame.  

“Periudhën epidemike të llojit të ri të koronavirusit (Covid-19) Turqia e ka menaxhuar me një sukses që ka fituar admirimin e të gjithë botës në çdo fushë, veçanërisht në shëndetësi. Me procesin e normalizimit, jeta ka marrë një ritëm që i afrohet nivelit të periudhës para pandemisë pothuajse në të gjithë sektorët, përveç turizmit”,- thotë udhëheqësi turk në videomesazhin e tij.

Në këto ditë kur do të hyjmë në gusht, i cili njihet si “muaji i fitoreve” në historinë tonë, shpresojmë që t’u lëmë trashëgim fëmijëve tanë fitore të reja, shton ai.

“Ne jemi të vendosur të përfundojmë me fitore për veten dhe vëllezërit tanë përpjekjen tonë që vazhdon në një hapësirë të gjerë dhe që shtrihet nga Iraku dhe Siria e deri në Libi. Turqia do t’i çojë deri në fund punimet që ka filluar për të mbrojtur të drejtat e saj në Mesdheun Lindor dhe Egje”,- thekson lideri turk.

Ashtu si në shembullin e Xhamisë së Shën-Sofisë,- vijon më tej Erdogan në mesazhin e tij,- Turqia nuk do të hezitojë të përdorë të drejtat e sovranitetit. 

Ai njoftoi se Turqia do të vazhdojë të qëndrojë pranë kujtdo që vuan persekutimin dhe padrejtësinë pavarësisht vendit ku ata jetojnë në botë, besimit, kulturës dhe origjinës së tyre.

“Dëshiroj që festa e Kurban Bajramit të sjellë lumturi në zemrat tona, prosperitet në Turqi dhe paqe në botë. Qoftë i bekuar Bajrami”,- e përfundon mesazhin e urimit Presidenti Erdogan. /TRT