Emetimi i Eurobondit, Ibrahimaj: 10 mln investime, borxhi do të justifikohet me rritje ekonomike

Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, në një konferencë për mediat pas emetimit të Eurobondit të ri 10-vjeçar, me vlerë 650 mln euro tha se borxhi i marrë do të përkthehet në investime.

Ajo tha se emetimi i Eurobondit ka rikonfirmuar besimin e investitorëve dhe tregjeve ndërkombëtare financiare.

“Kishte interes të lartë nga investitorët e huaj. 114 u ofruan të investonin. Vlera shkoi mbi 10 mld lekë. Emetimi tregon edhe një herë besimin e investitortëve të huaj në ekonominë tonë.

Shqipëria ka dalë për herë të pestë në tregjet ndërkombëtare. Ky operacion kaq i rëndësishëm u përmbyll me sukses dje. Kuponi i eurobondit ishte 3.5% ndërkohë që norma e interesit afatgjatë ishte 3,75%. Ky eurobond pritet të maturohet më muajin nëntor 2031.

Krahasuar me dy eurobondet e fundit të emetuar nga vendi ynë, ky aktual pati një kupon i cili është në një vlerë të përafërt me atë të emetuar 2 vite e fundit dhe në një vlerë të barabartë me atë të emetuar në vitin 2020.

Borxhi nuk është i pëlqyeshëm për asnjë qeveri, por ka edhe elemente pozitive. E para është se ajo përkthehet në investime dhe rritje ekonomike. Nga ana tjetër, një tregues i rëndësishëm është raporti i rritjes ekonomike me deficitin. Pra borxhi duhet të justifikohet me rritje të qëndrueshme ekonomike. Sigurisht që ky është një tjetër raport që ka përmirësime nga viti në vit dhe në vitin 2020 treguesit kryesorë patën një goditje të madhe pandemia dhe tërmeti,”tha Ibrahimaj.