Elisabeta Katiaj: Bllokimi i llogarive bankare për ortakët, aksionerët apo administratorët, skandal administrativ

Ndryshimet në udhëzimin e procedurave tatimore, që sanksionojnë urdhrin e bllokimit të llogarive bankare për ortakët, aksionerët apo administratorët e shoqërive në rast mos shlyerje të detyrimeve, konsiderohen antikushtetuese. Madje ekspertët shprehen se do të ndikojë negativisht jo vetëm në raportimet e institucioneve ndërkombëtare por edhe do të prekë investimet e huaja dhe ato të brendshme.

Analistja e ekonomisë, Elisabeta Katiaj, për Apel Media,është shprehur se: “Prekja e llogarive të ortakeve dhe administratorit tek shoqëritë me përgjegjësitë e kufizuara është skandal administrativ, i cili do të shoqërohet me pasoja deri në nivel ndërkombëtar në përkeqësim të raportit Doing Business dhe gjithashtu tremb dhe largon te huajt”.

Koncepti i shoqerive me përgjegjësi të kufizuara nënkupton jo vetëm në Shqipëri por në mbare botën, pergjegjësi financiare ndaj detyrimeve deri në kontributin e ortakut në pjesëmarrje në kapitalin e shoqërise.

Për shkak se adminsitrata tatimore ka shfaqur vështirësi në mbledhjen e detyrimeve dhe të borxhit, ka dalë në vendimin për të bërë mbylljen e llogarive personale të adminsitratorëve dhe ortakëve. Znj. Katiaj është shprehur se ka kosto të lartë administrative mbledhja e borxhit nga administrata tatimore, duke qenë se edhe strukturat e ndjekjes se proçedurës së ekzekutimit të detyrimit deri tek asetet e shoqerisë mungojnë, duke qenë se tatimet, nuk aplikojnë kërkesë për kreditorët e shoqerisë debitore, apo se tatimet nuk ndjekin proçedurat deri në kerkesëpër faliment të shoqërive në rast detyrimi dhe mospagesë të tyre pas gjithë hapave, dhe të tjera mangësi si këto, kanë sjellë në vendimin e mbylljes së llogarive.

Sipas Katiaj, tatimet zgjedhin të bëjnë presion biznesit dhe individit, me qëllim të paguajnë, duke keqinterpretuar ligjin dhe udhëzimin “Për proçedurat tatimore”.

Ky veprim sipas analistes së ekonomisë, nuk është as efektiv dhe as i ligjshëm. Madje shkon edhe më tej: “Kjo mënyrë po shkatërron mendimin e të bërit biznes në Shqipëri. Të huajt nisën alarmin edhe tek ata që nuk kanë detyrime, për arsye se nëçdo vend të botës kjo nuk ndodh. Të pakten pa ekzekutuar të gjitha format e mbledhjes me forcë nga biznesi të detyrimit. Për këtë arsye edhe personi juridik “shoqëri me përgjegjësi të kufizuar” është forma ligjore më e aplikuar kudo”.

Madje vendime të dala nga tatimet për sa i përket vjeljes së detyrimeve është konsideruar si shpikje që dalin nga nenpunës që mendojnë se marrin flamur për gjetjet e tyre në detyrë por që prishin të gjitha parametrat e të bërit biznes.

Pikërisht për këtë arsye, Katiaj, ngre shqetësimin se: “Sipërmarrja tashmë duket qartë qëështë pa mbështetje, nuk përfaqësohet nga krerët e Dhomave dhe Bashkimit te Dhomave tregtare të emëruar sipas interesit. Trajtojnë njëçeshtje në media, dhe me kaq përpjekja e tyre për të zgjidhur ngelet aty dhe me kaq mbaron”.

“Pasojat e mospërfaqësimit janë shumë të rënda dhe po prekin përditë e më shumë sipermarrjen. Mbi të gjitha, po merren vendime të pakonsultuara, jo profesionale, në kundërshtim me ligje dhe jam e bindur se janë tentativa, të cilat thjesht gjejnë zbatim, pasi nuk ka reagim nga strukturat e duhura” – perfundon Katiaj./ Apel Media