Elisabeta Imeraj: Përgjigje nga prokurorët që pushuan akuzën ndaj Bashës/ Nëse s’kanë respektuar ligjin, vendimi është nul

Kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj deklaroi se vendimi i dy prokurorëve Ervin Karanxha dhe Gjergji Tako për të pushuar akuzën e pastrimit të parave ndaj Lulzim Bashës, është nul nëse nuk kanë respektuar ligjin.

Përmes një prononcimi për “Report TV”, Imeraj foli në lidhje me mbylljen e hetimeve për lobimin rus dhe marrjen e kreut të PD-së Lulzim Basha, si i pandehur.

Ajo tha se u ka kërkuar përgjigje prokurorëve në lidhje me vendimin dhe se kanë tre ditë kohë për t’i kthyer përgjigjen.

“Nëse prokurorët nuk kanë respektuar ligjin vendimi është jul. I kam kërkuar përgjigje me shkrim dy prokurorëve. Prokurorët Karaxha dhe Tako kanë tre ditë kohë të përgjigjen se çfarë procedure ligjore ndoqën për dosjen e lobimit rus”,- ka thënë ndër të tjera Imeraj.

Kujtojmë se prokuroria mbylli hetimet për kreun e PD-së Lulzim Basha, i cili sipas mediave evropiane, është i përfshirë në skandalin me lobimet ruse.

Ndërkohë që Basha, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi janë marrë si të panddehur për falsifikim të dokumentave./apel.media