Eleminimi i Majlinda Kelmendit nga Lojërat Olimpike, Osmani: Me ty jemi të gjithë, e arta jonë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas eliminimit të Majlinda Kelmendit nga Lojërat Olimpike. Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Osmani ka thënë se Majlinda mbetet kampione olimpike e përhershme dhe se i ka sjellë Kosovës respkt më shumë se çdokush tjetër.

“Majlinda për ne mbetet kampione olimpike e përhershme. Është ajo që i dha Kosovës shkëlqimin e saj të parë, ajo që e ndriqoi emrin e Kosovës para krejt botës, ajo që ngriti flamurin tonë atje ku nuk arrinte askush tjetër dhe bëri që të dëgjohej e nderohej himni ynë në vende që nuk na njohin.

Majlinda i solli Kosovës respekt më shumë se çdokush tjetër. Ajo i dha motiv çdo fëmije, çdo të riu, e mbi të gjitha çdo vajze, për të luftuar për ëndërrat e veta e për t’u ringritur gjithnjë pavarësisht sfidave”, ka shkruar Osmani.

Tutje, Osmani ka thënë se pavarësisht rezultatit, ajo ka realizuar ëndrrën e një populli të tërë.
“Faleminderit kampione, për këto e shumëçka tjetër. Sepse ajo çfarë ke bërë ti për Kosovën tejkalon çdo medalje. Pavarësisht rezultatit të sotëm, ti tashmë ke realizuar ëndrrën e një populli të tërë.
Por jo vetëm falënderim Majlindë. Me ty jemi të gjithë, e arta jonë. Majlinda është Kosova! 🇽🇰”, thuhet në postimin e Osmanit.