Eksperti rumun:Në Shqipëri katet e para ndërtohen ndryshe

Eksperti rumun, Cezar Aanica, ka ndarë eksperiencën e tij në terren, në lidhje me dëmet e tërmetit të 26 nëntorit.

Ai u shpreh se disa prej banesave kanë dëme të riparueshme, ndërsa ato që konsiderohen si të pabanueshme, duhet të shemben.

Ai vijoi me përshkrimin e llojit, të ndërtimeve, duke konstatuar se dëmet më të mëdha godinat i kanë pasur në katet e para dhe të dyta të tyre.

“Disa shtëpi nuk kanë probleme të mëdha, ka të pabanueshme dhe disa që duhen rindërtuar, ka shtëpi qe ende duhet të hetohen. Ka ndërtesa që nga jashtë duken të mira por kur hyje brenda ishte një katastrofë.

Këto ndërtesa nuk kishin shtylla betoni por ishin vetëm me mure me tre lloje tullash të ndryshme. Ato ndërtesa nuk janë të sigurta për të jetuar. Ka pasur edhe ndërtesa ku çarjet ishin të dukshme nga jashtë që sollën dëmtime të dukshme edhe në strukturë.

Në Shqipëri kam parë që katet ndërtohen ndryshe. Problemet kanë qenë në katin e parë dhe të dytë dhe në katet e sipërme nuk ka pasur probleme por të vazhdosh të jetosh në katet sipër është e rrezikshme, si të ecësh në dëborë me kapuç por pa çorape.

Në Vorë kam parë ndërtesa shumë të dëmtuara, dëmët janë progresive, pra vazhdojnë gjatë edhe pas tronditjes nga termeti prandaj është e rrezikshme të banohet në ndërtesa me fraktura në dukje të vogla”, u shpreh ai./apel.media