Ekskluzive APEL/ Sofja si Durrësi- Antikiteti nën këmbët tuaja

Blogerja e turizmit, Flora Xhemani Baba shkruan:


Sofja, ashtu si Durrësi ynë, është nga ato qytete me fat, ku rrënojat antike ose parqet arkeologjike, nuk ke nevojë të shkosh e t’i kërkosh jashtë qytetit. Ato ndodhen mu nën këmbët tuaja, madje në zemër të qytetit. Ndaj edhe nëse jeni në Sofje për qëllime pune ose për arsye të tjera që nuk janë domosdoshmërisht turistike, ju mund të përfitoni nga rasti për një tur të shkurtër, edhe para hotelit tuaj.


Në dallim prej nesh, që Durrësin edhe kur e zbulojmë, e varrosim menjëherë nën beton ose zbulimi mijëravjeçar na del pronë e shoqatave fetare, bullgarët i vlerësojnë shumë trashëgimitë e veta.

Ky kompleks arkeologjik është zbuluar vetëm 5-6 vjet më parë, gjatë punimeve në metronë e qytetit dhe nuk është gjë tjetër veçse Porta Perëndimore Romake e Sërdicës, emri me të cilin thirrej Sofja antike. Parku është pjesë e qytetit të vjetër dhe duke qenë se arkeologët e njohin mirë qytetërimin që ndodhet nën këmbët e qytetit, gërminet do të vazhdojnë dhe nuk është ndonjë çudi që në të ardhmen e afërt, e gjithë qendra e Sofjes të ketë edhe një kat të nëndheshëm, paralel me metronë.

E, në mos me shtëpi, do të popullohet patjetër me objekte turistike, pika informacioni për Kompleksin, dyqane suveniresh në funksion të qendrës, qendra kulturore etj.
Kurse ne s’po heqim dot dy shtëpi të qelbta dhe tre kamionë me dhé nga amfiteatri më i madh në Ballkan./ Apel.Media