Ekonomia e Koosvës shqetësuese, ekspertët kërkojnë veprim nga qeveria

Ekspertët e ekonomisë në Kosovë thonë se qeveria nuk ka marrë masa për mbështetjen e qytetarëve dhe bizneseve, në kohën kur vendi ndodhet në një krizë ekonomike. Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosov...
Ekonomia e Koosvës shqetësuese, ekspertët kërkojnë veprim nga qeveria
Foto: Ekonomia e Koosvës shqetësuese, ekspertët kërkojnë veprim nga qeveria

Ekspertët e ekonomisë në Kosovë thonë se qeveria nuk ka marrë masa për mbështetjen e qytetarëve dhe bizneseve, në kohën kur vendi ndodhet në një krizë ekonomike.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thekson se situata është shqetësuese.

“Vetë fakti që në Kosovë për muajin maj e kemi pasur një shkallë të inflacionit 12.5 për qind, është shqetësimi i parë, fuqia blerëse e euros në Kosovë ka rënë për gati 50 për qind, këtë më së miri e dinë qytetarët, të cilët me 100 euro para tre muajve nuk vlejnë sot as 60 euro. Prandaj, ky është shqetësimi i madh dhe vet fakti që shumë vende të rajonit janë duke analizuar modalitetet dhe metoda si të jenë me bizneset dhe me qytetarë, në Kosovë një gjë e tillë nuk ndodhë. Vërtet është shqetësimi shumë i madh”, thotë Safet Gërxhaliu, ekspert i ekonomisë.

Gërxhaliu thotë se është koha për veprim dhe jo vetëm arsyetim nga Qeveria.

“Nuk ka zgjidhje të problemit pa ballafaqim me problemin. Nuk mund të zgjidhet problemi në qoftë se tentohet të anashkalohet problemi dhe të mos pranohet si realitet. Në këtë drejtim besoj që qeveria duhet të jetë më e kujdesshme. Dua të besoj që në kabinetin qeveritar ka ekspert të fushave edhe ekonomike, edhe të asaj sociale dhe integruese, por është koha për veprim dhe jo vetëm për arsyetim”, shprehet eksperti.

Eksperti i ekonomisë, Muhamet Spahiu thotë se ulja e akcizës së naftës do të ndikonte në lehtësimin e jetës së qytetarëve.

“Absolutisht, akciza konsiderohet si taksë në produkte të luksit, që nafta tashmë nuk është luks, ani se kjo ekziston gjithmonë si akcizë në produktet e naftës. Gjithsesi është shumë e lehtë të hiqet për shkak se nuk ka implikime ligjore, bëhet vetëm me vendime të qeverisë, pra pa implikime të kuvendit. Është shumë lehtë e aplikueshme dhe normalisht që do të kishte efektin e drejtpërdrejt dhe shumë të shpejt në lehtësimin e jetës së qytetarëve dhe rritjes së fuqisë blerëse në mënyrë indirekte”, thekson eksperti Muhamet Spahiu.

Në Kuvendin e Kosovës, më 30 qershor, është mbajtur një debat për situatën e krijuar nga rritja e çmimeve. Partitë opozitare kanë kërkuar që Qeveria të reduktojë akcizën dhe TVSH-në në derivate të naftës dhe produkte bazike për tre muaj.

Por qeveria thotë se nëse reduktohet TVSH-ja, zvogëlohen të hyrat në Administratën Tatimore të Kosovës, që mbushin arkën e shtetit. Më 22 qershor, Qeveria e Kosovës ka miratuar një udhëzim administrativ për rregullimin e çmimeve të derivateve të naftës, i cili ka hyrë në fuqi më 27 qershor. Çmimi tavan i tyre tani përcaktohet çdo 24 orë. Maksimali për naftën është 1.84 euro, ndërsa për benzinën 1.75 euro.