Ekonomia e Italisë, partnerit tonë kryesor tregtar, bie me 17.3% në tremujorin e dytë/ Rënie e paprecedentë në gjithë shtetet e Europës

Ekonomia e Italisë, partnerit tonë kryesor tregtar, ku shkojnë më shumë se 50% e eksporteve shqiptare, ka shënuar një rënie të thellë në tremujorin e dytë të vitit. Instituti Italian i Statistikave, I...
Ekonomia e Italisë, partnerit tonë kryesor tregtar, bie me 17.3% në tremujorin e dytë/ Rënie e paprecedentë në gjithë shtetet e Europës
Foto: Ekonomia e Italisë, partnerit tonë kryesor tregtar, bie me 17.3% në tremujorin e dytë/ Rënie e paprecedentë në gjithë shtetet e Europës

Ekonomia e Italisë, partnerit tonë kryesor tregtar, ku shkojnë më shumë se 50% e eksporteve shqiptare, ka shënuar një rënie të thellë në tremujorin e dytë të vitit.

Instituti Italian i Statistikave, Istat, bëri të ditur se në tremujorin e dytë prodhimi i brendshëm bruto i Italisë ra me 17.3%, në krahasim me tremujorin e dytë të një viti më parë, si rrjedhojë e krizës së shkaktuar nga koronavirusi.

Në krahasim me tremujorin e parë, tkurrja ishte 12.4%, pas rënies me 5.4% në të parin. Mediat italiane raportojnë shpjegimin e Istat, se vlera e prodhimit të brendshëm bruto ka arritur në nivelin më të ulët që nga tremujori i parë 1995, periudha kur ka filluar ndërtimi i serisë kohore historike.

Për 6 mujorin e parë, tkurrja në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë është -14.3%.

Istat raportoi se rënia me bazë tremujore është rrjedhojë e tkurrjes së vlerës së shtuar në bujqësi, në industri si dhe në shërbime. Në krahun e kërkesës ka pasur kontribut negativ si në komponentët e brendshëm (ndryshimi i inventarëve) ashtu dhe atë të eksporteve neto.

Mediat italiane e quajnë këtë rënie të paprecedentë. Ilsole24ore shkruan se nga prilli deri në qershor ekonomia ka humbur më shumë sesa 50 miliardë euro.

Rënia e regjistruar midis prillit dhe qershorit u ndikua nga masat kufizuese të marra për të përmirësuar efektet e urgjencës shëndetësore të shkaktuar nga koronavirusi. Në terma ciklike, kjo është rënia e tretë radhazi, prandaj konfirmohet recesioni.

Italia ishte shteti i parë në Europë që u përball me pasoja e pandemisë dhe u detyrua të vendoste një karantinë të rreptë.

Rënie e fortë dhe në shtetet e tjera të Europës 

Të dhënat e tjera të institucioneve statistikore tregojnë se rënia ka qenë e fortë dhe në shtetet e tjera të Europës, duke e krahasuar me situatën më të keqe që pas Luftës së Dytë Botërore. Në Spanjë në tremujorin e dytë, ekonomia ra me 22.5% në krahasim me tremujorin e dytë të një viti më parë dhe 18.5% në raport me janar-mars 2020.

Franca ka shënuar një rënie prej 13.8% me bazë tremujore, më e fortë se e Gjermanisë prej 10.1%.

Megjithatë mediat theksojnë se të dhënat e tremujorit të dytë janë më të mira sesa parashikimet. Konsumi i familjeve ka rezistuar më shumë sesa investimet e ndërmarrjeve dhe se sektori i ndërtimit. /Monitor