Ekipi kombëtar i Izraelit ndihet i sigurt në Kosovë para ndeshjes kualifikuese për Euro 2024

Pjesëtarët e ekipit kombëtar të Izraelit kanë shprehur se ndihen të sigurt dhe rehatshëm në Kosovë, në prag të ndeshjes kualifikuese për Euro 2024 kundër Kosovës të dielën në Prishtinë.

Trajneri i Izraelit, Alon Hazan dhe kapiteni Eli Dasa falënderuan të shtunën Kosovën për mirëpritjen, pasi mbërritën në kryeqytetin kosovar të premten nën masa të rrepta të sigurisë.

Izraeli do të përballet me Kosovën, vend me shumicë myslimane, në atë që është ndeshja e parë e kombëtares izraelite prej se nisi lufta mes Izraelit dhe grupit radikal palestinez, Hamas, i cili është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

I pyetur në një konferencë për media në Prishtinë nëse kjo ndeshje është barrë për ta, Hazan e cilësoi atë si mundësi për t’i bërë izraelitët në atdhe të lumtur në një kohë të vështirë lufte.

“Kjo nuk është barrë për ne, ne e dimë se çfarë po përfaqësojmë dhe ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta fituar këtë ndeshje dhe të sjellim gëzim te populli ynë. Kjo nuk është diçka që mund ta ndaloj ekipin kombëtar, duhet të jetë diçka që i frymëzon lojtarët”, tha Hazan.

Kosova i rriti masat e sigurisë për këtë ndeshje dhe Hazan tha se ndihet “krenar” që ndodhet në Kosovë dhe se “uron që populli ynë dhe populli juaj do të jetojnë në paqe në të ardhmen”.