Edi Rama: Shqiptarët janë sot më pro-amerikanë sesa vetë banorët e Teksasit

Në një intervistë me revistën gjermane “Der Spiegel” kryeministri i Shqipërisë flet për pranimin e refugjatëve afganë, për politikanët shqiptarë që s’merren vesh as sa është ora dhe shpjegon pse shqiptarët janë aq proamerikanë dhe realistë sa i përket BE-së.

Spiegel: Vendi juaj është bërë shtëpia e afganëve, të cilët kanë ikur kur talibanët morën përsëri pushtetin, në mes të gushtit. Sa janë dhe sa do të qëndrojnë?

Rama: Tani ka rreth një mijë afganë dhe amerikanët po sjellin të tjerë. Ne mund të marrim deri në katër mijë. Këta njerëz ishin përballë talibanëve dhe u shërbyen trupave të NATO-s, për shembull si përkthyes. Ne nuk duhet t’i zhgënjejmë. Ata do të qëndrojnë derisa të marrin viza për në SHBA. Procedurat do të marrin shumë kohë.

Spiegel: Shqipëria nuk është vendi më i madh dhe më i pasur në Europë. Si ndodhi që të bëhet vend për pranimin e refugjatëve?

Rama: Fillimisht ishin organizatat joqeveritare që na lutën të ndihmojmë, organizatat humanitare, të cilat i bartnin me avionë jashtë vendit afganët. Ne thamë menjëherë “po”, pastaj edhe nga qeveria amerikane na pyeti nëse mund të pranojmë afganë. SHBA-të ishin nën presion sepse kishte vetëm disa vende që donin të merrnin refugjatë.

Spiegel: Pse Shqipëria ra dakord?

Rama: Ne nuk mund të kishim refuzuar! Kodi i nderit i shqiptarit vjen që nga Mesjeta. Mikpritja luan një rol qendror dhe kjo është e vërtetë edhe sot. “Shtëpia është e Zotit dhe mikut”, thotë ky kod nderi. Kjo nuk është vetëm për atë mik që ju e ftoni, për të të gjithë ata që ju trokasin në derë. Tradicionalisht për ne është e pamundur të refuzosh ndokënd. Kjo është edhe arsyeja pse Shqipëria ishte vendi i vetëm pas Luftës së Dytë Botërore që kishte më shumë hebrenj se para fillimit të saj.

Spiegel: A do të thotë kjo se edhe popullata e mbështet vendimin për të pranuar mijëra afganë?

Rama: Ne jemi të përçarë për gjithçka në Shqipëri dhe ndonjëherë nuk pajtohemi edhe për faktin se sa është ora. Por, partitë tona nuk ndryshojnë në këtë çështje. Ne kemi pranuar gjysmë milion refugjatë të regjistruar gjatë Luftës së Kosovës. Në vitet e fundit më shumë se 3000 iranianë erdhën tek ne, anëtarë të opozitës të cilët ishin persekutuar brutalisht. Ne jemi si afganët, por afganët e Europës. Vendi ynë ishte plotësisht i izoluar nën regjimin e Enver Hoxhës, madje as pjesë e Traktatit të Varshavës nuk ishte. Pas ndryshimeve politike të gjitha institucionet ushemben, vendi ishte si në luftë civile. Në atë kohë shumë anije u mbushën me njerëz dhe u nisën drejt Italisë. Ne e kemi përjetuar të qenit refugjatë.

Spiegel: Në vendet e tjera europiane politikat e migrimit janë shumë të diskutueshme, ekziston frikë nga refugjatët që janë karburanti i partive populliste të krahut të djathtë. Pra, a janë shqiptarët imunë ndaj pakënaqësisë?

Rama: Hapja jonë është një trashëgimi madhështore dhe të shumtë janë ata që mendojnë se duhet ta ruajmë këtë trashëgimi. Pastaj ne jemi vend anëtar i NATO-s, vetëm se kontributi ushtarak i Shqipërisë nuk është i madh. Por, shumë besojnë se ne mund të ndihmojmë ndryshe. NATO është një bashkësi vlerash. Ne thjesht nuk mund të kthejmë shpinën në këto momente. Është tronditëse se si ekstremi i djathtë po dikton sot debatin lidhur me emigrantët në shumë vende, veçanërisht në ato të pasura.

Spiegel: Në vitin 2018, nën qeverisjen tuaj, Shqipëria nuk ka pranuar të ndërtojë qendra pritjeje të refugjatëve për llogari të Bashkimit Europian. Përse i keni thënë “jo” kësaj?

Rama: Nuk donim të shndërroheshim në një vend ku BE shkarkon refugjatët e padëshiruar. Përndryshe ne do të duhej të viheshim në shërbim të një politike antiemigracion të vendeve vërtetë të pasura. Nuk e donim këtë.

Spiegel: Shqipëria synon prej kohësh të anëtarësohet në BE, por pa shënuar progres në këtë. A jeni të zhgënjyer?

Rama: Nuk jemi të zhgënjyer, por jemi bërë më realistë. E kemi idealizuar BE-në, vazhdojmë të jemi ndër vendet më proeuropiane në kontinent. Por, sot e dimë më mirë se si funksionon BE-ja. Ne mësojmë nga Europa si të ndërtojmë një shtet transparent dhe demokratik. Europa zotëron dijen dhe na e siguron këtë. Edhe kjo është një vlerë në vetvete. Anëtarësimi do të ndodhë, nëse ndodhë. Është krejt e qartë për mua: ne ishim të fundit që hoqëm dorë nga idea e komunizmit dhe do të jemi po të fundit që do të heqim dorë nga ideja e Europës – përkundër dobësive që ka BE. Mund të diskutohet për Vatikanin, por jo për Zotin. Ideja e një Europe të bashkuar është Zoti.

Spiegel: Tani, mbi të gjitha, ju jeni i keni bërë në favor SHBA-ve. Çfarë lloji marrëdhëniesh do të dëshironit të kishit me SHBA-në? Atë të një partneriteti të veçantë, për shembull? Shumë vende të tjera që kanë vështirësi me BE-në do të kishin ëndërruar për këtë.

Rama: Gjatë periudhës së komunizmit na thuhej që SHBA ishte mishërim i së keqes. Por ne u bëmë adhurues të Amerikës. Shqiptarët janë sot më pro-amerikanë se sa vetë banorët e Teksasit. Fatmirësisht, s’jemi të detyruar të zgjedhim mes SHBA-së dhe BE-së. Ne duam marrëdhënie të mira me të dy.

Spiegel: A do t’ju mungojë Angela Merkel, e cila ka qenë gjithmonë e interesuar për Ballkanin? Presidenti francez, Emmanuel Macron, për shembull, madje i bllokoi bisedimet e anëtarësimit me shtetet e Ballkanit.

Rama: Emmanuel Macron është shumë herë më i ndershëm sesa shumë politikanë të tjerë, të cilët fshihen pas premtimesh të bukura. Ishte Merkel ajo që i shpëtoi nderin kontinentit më 2015 (kur pranoi refugjatët). Europa do ta kishte humbur shkëlqimin e moralit të saj, nëse do të na kishte mbyllur kufijtë. Merkel do të na mungojë së tepërmi, pasi ajo kishte një vizion për Ballkanin./ Përktheu: Enver Robelli