Dueli i televizioneve në terren të ri, si po ndryshon gara e programacioneve këtë sezon

Pas vitit të vështirë të pandemisë, fundi i vitit 2021 cilësohet si një terren i ri për televizionet, të cilëve u duhet të “luftojnë” për të mbajtur pas vetes audiencën që fituan në kohën e kulmit të pandemisë dhe kufizimeve të shumta. Në këtë sezon, programacioni përfshin “arsenalin” e rëndë, duke u rikthyer me doza të forta tek emisionet “reality”, nga ai i jetesës në një shtëpi të personazheve të famshëm, tek ato të takimeve të dashurisë dhe talent show. Serialet, nga ana tjetër, do të zënë një vend të rëndësishëm edhe këtë sezon. Kostot e blerjes së tyre në tregje të huaja janë rritur, ndërkohë, edhe këtë sezon, dominojnë ato turke. Në ekrane, për herë të parë, do të shfaqen dy seriale shqiptare dhe do të rikthehen telenovelat spanjolle. Blerjet në Netflix dhe Amazon Prime janë gjithashtu aktive. Struktura bazë e programacionit në ekrane ka mbetur e njëjtë, duke treguar “imunitetin” e aktualitetit dhe politikës që ndiqet nga audienca. Çmimet e reklamave nuk kanë ndryshuar në shumicën e rasteve, ose janë ulur në nivele modeste në disa të tjera, dhe biznesi, me rikthimin drejt normalitetit, ka rikthyer buxhetet e marketingut. 

Televizionet e kanë nisur këtë sezon me objektiv të qartë: të mbajnë mbërthyer pranë ekranit audiencën. Pandemia i preku të gjithë, duke u dhënë efekte negative në buxhetet e reklamave që u pakësuan, në riformatimin e emisioneve për t’iu përshtatur kufizimeve, në rritjen e kostove të prodhimit. Por në gjithë këtë humbje kishte edhe një fitore: televizioni u bë dritarja kryesore e informimit dhe argëtimit për masën.

Pandemia pati momentet e saj të vështira dhe horizonti nuk është plotësisht i qartë, por të gjithë pranojnë se në lidhje me televizionet, kemi të bëjmë me një terren të ri. Në një situatë si kjo, do t’ju duhet të “luftojnë” që të mbajnë pranë vetes audiencën të cilën e fituan kur masat kufizuese ishin më të mëdha dhe kur alternativat e argëtimit jashtë dyerve të shtëpisë ishin thuajse inekzistente.

Programacioni i sezonit të ri e thotë të gjithën: fitorja në duele mes njëri-tjetrit nuk do të jetë e lehtë. Përveç strukturës bazë të emisioneve, që kanë vite të sprovuar në syrin kritik të audiencës, këtë sezon, “artileria është disi më e rëndë”, duke rikthyer vëmendjen nga reality show-t te përfshirja e serialeve shqiptarë.

Reality, si “epiqendra” e sezonit, nga shtëpia e të famshmëve, dashuria në ekran dhe talentet 

Gjinia e “reality” në televizionet shqiptare nuk ka munguar dhe, vit pas viti, ka ardhur në forma të ndryshme. Por duket se këtë sezon doza është shtuar, si një përgjigje ndaj “urisë” së audiencës për këtë lloj formati. Televizionet kryesore në vend kanë përfshirë në programacion reality show që shfaqin nga jetesa e përditshme para kamerave e personazheve të njohur, tek përzgjedhja e talenteve apo takimeve e njohjeve të dashurisë. Klara Sinjari, nga Top Channel, konfirmon se në këtë sezon janë të paktën tre reality.

“Spektakli që ka pasur një pauzë prej 4 vitesh, ‘Big Brother’, rikthehet fuqishëm në Top Channel, por këtë herë banorët e shtëpisë së famshme janë VIP-a. Kasti është përzgjedhur me shumë kujdes dhe do të moderohet nga prezantuesja e mirënjohur, Arbana Osmani. ‘Për`puthen’, edhe këtë vit do të jetë i përditshëm dhe çdo të shtunë vjen me ‘Për`puthen Prime’, në orën 21:00. Programi maratonë ‘E Diell’ do të ketë të përfshira, përveç rubrikave të zakonshme, edhe disa të reja si ‘Shoku ynë Tili’, një talent show për fëmijë me fokus këngën dhe kërcimin” – pohon ajo.

Formatet “dating” (të takimit për të njohur dikë), që lulëzuan sezonin e kaluar, duket se kanë gjetur mbështetjen e publikut ndaj në Klan do të vazhdojë edhe këtë sezon “Love Story”, por me një tjetër formulë.

“Do të rifillojë sezoni i dytë i formatit reality ‘Love story’, kësaj here me dy pretendentë, një vajzë dhe një djalë në kërkim të ‘fatit’ në dashuri. Formati do të shoqërohet edhe nga një program ditor, nga e hëna në të premte, ‘Daily Love Story’ në orën 13:30” – shprehet Albert Dumani, Drejtor Programacioni & Blerjesh.

Në televizionin e ri ABC, i cili prej gati një viti është kthyer në televizion gjeneralist, reality do të përfshijë pjesën e talenteve. “Për herë të parë sjellim një format dance reality show, i quajtur ‘T’ka Mami Yll’, ku protagonistë do të jenë fëmijët e moshës 10- 15 vjeç, por edhe mamatë e tyre, të cilat do të synojnë, me çdo kusht, që fitues të jetë fëmija i tyre. Ky emision sillet nga dy emrat e njohur të spektakleve, ideator Albi Nako, ndërsa autore e emisionit, Zefina Hasani” – pohon Idaver Sherifi, CEO i ABC.

Serialet, “uria” për turket s’ka fund, këtë sezon edhe dy seriale shqiptarë, rikthehen ato spanjolle

Serialet janë bërë pjesë e rëndësishme e programacionit të televizioneve. “Gjuetia” e blerjeve në tregje është një nga më aktivet dhe vitet e fundit, platforma si Netflix dhe Amazon Prime po bëhen një tjetër burim i rëndësishëm i tyre. Në tregun shqiptar, gjithsesi, kryesimin vazhdojnë ta kenë serialet turke.

“Prodhimet turke janë ato më të realizuar për momentin dhe më të dashur për publikun shqiptar. Kujtojmë që Turqia ishte ndër vendet e pakta që nuk e ndali xhirimin dhe prodhimin e serialeve gjatë pandemisë, kur e gjithë bota u paralizua dhe ata xhironin çdo ditë me të njëjtin pasion dhe pa ulur aspak nivelin e profesionalizmit” – pohon Alber Dumani nga Klan. Ai nënvizon se do të jenë në ekran disa seriale turke, vazhdim i atyre të sezoneve të kaluara dhe kjo në kushtet kur publiku vazhdon t’i ndjekë. Dumani pohon se do të ketë edhe rikthim të telenovelave spanjolle, ndërsa risia është një serial shqiptar.

“Këtë sezon do të shfaqet edhe seriali komedi i shumëpritur nga Ermal Mamaqi, ‘H.O.T’, sezoni parë me 10 episode dhe së shpejti janë porositur edhe dy sezone të tjera.

Këtë sezon janë rikthyer telenovelat spanjolle si ajo me titull ‘Pasion dhe Pushtet’” – thekson Dumani. Edhe Vizion Plus, në këtë sezon, do të ketë sërish të përfshirë seriale turke, të cilët vijnë në sprovën e tyre të disa viteve në ekran.

“Përveç serialeve turke, pjesë e strukturës programore të Vizion Plus si ‘Grua’, ‘Familja e Madhe’ dhe ‘Molla e Ndaluar’, do të ofrohen në këtë sezon edhe dy tituj të rinj po nga kinematografia turke. Bëhet fjalë për ‘Akrepi’ dhe ‘Historia Jonë’. Pandemia ka diktuar çmimet në tregje, shumë seriale ndërprenë prodhimin, të tjerë shtynë kohën e xhirimit, si pasojë e karantinës. Kjo rëndoi më shumë mbi kostot e produksionit e për rrjedhojë diktoi edhe nivelin e çmimit” – shprehet Ilir Dyrmishi, Drejtor Promocioni në Vizion Plus.

Për Top Channel është rritur interesi i audiencës për seriale amerikane. Edhe këtë sezon do të ketë prani të tyre ashtu si në sezonet e kaluara, ndërkohë në këtë ekran do të shfaqet edhe një serial shqiptar.

“Shumë shpejt do të transmetohet seriali i parë shqiptar teen/drama ‘SNOB’, një bashkëpunim i Dalina Buzit/Anabel dhe ‘Nilor Film Production’. Është një prodhim autentik, me një kast të jashtëzakonshëm aktorësh të rinj dhe atyre me emër shqiptarë, me një dinamikë ngjarjesh, skenar dhe realizim filmik me standarde shumë të larta” – pohon Klara Sinjari.

Programet e reja në televizione, humori dhe argëtimi “pushton fundjavën”

Shumica e televizioneve kanë zgjedhur që të ruajnë strukturën bazë të emisioneve, duke bërë ndryshime të vogla. Në televizionin Klan, e reja e këtij sezoni është “Shije shtëpie”, një emision që transmetohet nga e hëna në të shtunë, nga ora 10:05 – 11:55 me Katerina Trungu dhe znj. Vjollca. Z. Dumani thotë se në këtë sezon është rikthyer edhe emisioni “Check In”, që vjen si rezultat i lehtësimit të kufizimeve në udhëtim. Në fundjavë do të vijojë transmetimin spektakli i humorit “Klanifornia”, ndërsa të nesërmen, “E Diela Shqiptare”.

Në Top Channel, emisioni më i ri që i është shtuar programacionit është “Goca dhe Gra”, një tjetër format, me në fokus gratë dhe të gjitha problematikat apo kauzat që shoqërojnë ato. Programi nuk ka një moderator të mirëfilltë, por 4 personazhe vajza/gra në panel. Në fundjavë, stafetën e “humorit” do ta mbajë “Portokalli”, kurse “E Diell” vjen me rubrika të reja ditën e diel.

Humori në fundjavë do të jetë edhe në ekranin e Vizion Plus me “Al Pazar” sikurse sezonin e kaluar, çdo të shtunë në orën 21:00, kurse në ekranin e ABC, “Kosherja” nis transmetimin çdo të diel, në 20:30.

Rritet interesi për të reklamuar në televizione pas rënies së vitit të shkuar

Reklamat janë zëri më i rëndësishëm tek të ardhurat e televizioneve dhe ky vit i post-pandemisë cilësohet nga përfaqësuesit e marketingut disi më i mirë se 2020-a. Interesi për të reklamuar në televizione është rritur si rezultat i rifillimit të aktivitetit edhe nga ana e bizneseve, por sërish normaliteti i marketingut para pandemisë ende nuk është arritur.

“Viti që lamë pas ishte vërtet i vështirë ekonomikisht, pasi me mbylljen e shumë kompanive, u vu re një rënie e ndjeshme e reklamimit të tyre në televizion. Këtë vit, situata është disi më mirë, përderisa nuk kemi ende mbyllje totale dhe duket sikur bizneset janë më mirë gjatë këtij viti. Gjithsesi, efektet e pandemisë vazhdojnë të ndihen dhe shpresoj që viti i ardhshëm të jetë më i mbarë nga ana e marketingut” – shprehet z. Dumani.

Ilir Dyrmishi, nga Vizion Plus, shprehet se nuk kemi të bëjmë me rënie të interesit, por me mundësi më të pakta për të investuar në marketing.

“Biznesi ka qenë i detyruar të rialokojë fondet në mënyrë që t’i përshtatet situatës. Të mos harrojmë që shumë biznese mbyllën përkohësisht aktivitetin, një pjesë punuan me staf të reduktuar, pati nga ata që nuk ia dolën dot dhe e gjitha kjo nuk ka sesi të mos të ketë ndikim në politikat e marketingut” – shprehet ai.

Klara Sinjari, nga Top Channel, vlerëson se, tashmë, biznesi ka ndezur dritën e gjelbër dhe ka një rikuperim. “Duke treguar një mirëkuptim për këtë, në këtë vit të vështirë dhe duke prodhuar programe që qasjen ndaj audiencës e kanë direkte dhe me feedback (përshtypje) të menjëhershëm, kjo e bën biznesin më të interesuar ndaj televizionit. Përgjegjësia është e madhe, puna krijuese, po ashtu” – pohon ajo.

Kurse Idaver Sherifi, nga ABC, pohon se ecuria e marketingut dhe reklamimit ka qenë pozitive për televizionin, pasi nga informativ në gjeneralist, shfaqja e emisioneve ka diktuar edhe rritje në të ardhura.

“Pavarësisht rënies drastike të buxheteve të marketingut në tërësi, ABC në vitin 2020 ka shënuar rritje prej 300% të të ardhurave nga reklamat krahasuar me vitin 2019. Është një rritje shumë e madhe duke pasur parasysh rënien e përgjithshme në treg, por në rastin tonë, mendoj se rritja e konsiderueshme e audiencës së televizionit dhe formatet e reja televizive kanë qenë arsyet kryesore të kësaj rritjeje jo të zakonshme” – nënvizon ai./Monitor