“Drejtori i ri i policisë vjen nga familje policësh, të atin ia shkarkuan nga detyra pasi kapi 60 kg heroinë në Elbasan”/ Befason Hoxha

Gazetari Artan Hoxha ka komentuar pak më parë emërimin e Gledis Nanos në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Hoxha në fjalën e tij tha se policia jonë prej kohësh që në kohën e ish-kryeministrit Berisha dhe tani në kohën e kryeministrit Rama pasqyron fytyrën e tyre dhe jo atë që vërtet duhet të përfaqësojë.

“Policia reflekton frymën qeverisë dhe frymën e kryeministrave. Dy të fundit kanë qenë autoritar si Berisha dhe Rama, dhe policia përcillnin frymën e atyre që ishin lart. Ardi Veliu u bë drejtor se ministri i asaj kohe donte këtë si drejtor. Kur ishte PD-ja drejtorët ishin nga veriu, me PS-në në pushtet drejtorët i kemi nga jugu, por që pasojat paguhen nga qytetarët. Me ikjen e Ardi Veliun nuk merr fund krimi te ne, kontenierët e drogës që janë nis do të vijnë, kanabisi i mbjellë do të korret.

Gledis Nano është me origjinë nga Skrapari, babai i tij ka qenë polic, ai është rritur në një familje policësh, por ajo që më duket pak është mosha e tij, për të qenë në krye të policisë. Mosha e tij është favorizuese për një gjë për të menduar se nuk mund të ketë një rrjet të gjerë miq dhe ndoshta nuk ka shumë ndikim. Babai tij ka patur rangun e drejtorit të policisë së qarkut, madje mbahet mend që në vitin 1998 kur ishte drejtor i Elbasanit, ka kapur një sasi heroine prej 60 kilogramësh që vinte me maune nga Turqia dhe ishte për llogari të një biznesmeni me lidhje të forta me kryeministrin e kohës. Për këtë shkak e kanë shkarkuar nga detyra.

Ka pas më shumë marrëdhënie me partnerët. Për mua gabimi i Veliut, përveçse ishte ushtar politik, ai nuk kishte komunikim me mediat. Policia e Shtetit është shumë e madhe dhe 100 ditëshin e parë Rama u mor me policët e qarkullimit”,- ka thënë ai.