“Dosja I.M”/ Rama: Meta po shantazhon Autoritetin e Dosjeve! Ndryshimi i ligjit i hap rrugë hetimit të plotë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me përmendjen e emrit të ish-Presidentit Ilir Meta nga Autoriteti i Dosjeve si ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Me një postim të gjatë në Facebook, kryeministri i është përgjigjur akuzave të opozitës se qëndron ai pas kësaj çështje, teksa thekson se kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, Genta Sula nuk ka asnjë lidhje me politikën dhe se në atë post është propozuar pikërisht nga vetë Meta. Rama shton se nuk është takuar me Sulën as pas publikimit të këtyre informacioneve, por thjeshtë është informuar nëpërmjet shkresave zyrtare. Ai akuzon ish-presidentin se po shantazhon Autoritetin.

“Sa për faktin që bashkëpunëtorin e Sigurimit me iniciale I.M, e lidh drejtëpërdrejtë me Ilir Metën apo Metajn, pikërisht një trupë e drejtuar nga zonja Genta Sula dhe e përbërë nga anëtarë, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me Sigurimin e Shtetit, madje disa vijnë deri edhe nga familje thellësisht të prekura nga persekutimi komunist, ky është një fakt që nuk flet aspak në favor të Ilir Metës apo Metajt. Nuk më duket se flet në favor të këtij të fundit edhe shpërthimi i tërbimit karakteristik, me piskama e lëvizje të pakontrolluara të krahëve – i ndodh në fakt sa herë ndjen shpinën t’i prekë lagështirën e një lloj muri që i prish gjumin dhe i merr peng imagjinatën. Po këto janë thjesht mendime të miat, ndërsa fakti është se Autoriteti i Informimit mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, po sulmohet dhe shantazhohet egërsisht nga Ilir Meta apo Metaj, si edhe natyrisht nga i Pakalluri Non Grata e nga dumbabistët që i shkojnë pas si qorra në kërkim të belasë”, shkruan Rama.

Nëse është apo jo Meta “spiuni me inicialet I.M” që i referohet Autoriteti, Rama shprehet se nuk e di pasi ai vetë nuk e ka parë dosjen, por shton se mes ish-Presidentit dhe Autoritetit të Dosjeve, ai zgjedh t’i besojë këtyre të fundit.

“Unë nuk e di a është Ilir Meta apo Metaj, ky spiuni me inicialet I.M dhe as e kam parë vetë dosjen! Po ama një gjë është shumë fare e sigurtë: Mes Autoritetit të Dosjeve nga njëra anë, i cili thotë shkresërisht, se Iliri që doli nga Presidenca para pak ditësh është i njëjti Ilir, që doli edhe nga dosja e Sigurimit pak ditë më pas dhe nga ana tjetër, Ilir Metës apo Metajt, i cili shan e bërtet që bëhet fjalë për një Ilir tjetër dhe se kjo është një poshtërsi e madhe patronazhistësh, padiskutim që unë i besoj trupës së drejtuar nga Genta Sula e vetë asaj. E cila s’ka asnjë lidhje tjetër me politikën, përveç faktit që e ka propozuar në atë detyrë personalisht Ilir Meta apo Metaj. Dhe me sa duket ka qëlluar si rrallëherë dhe ku, pikërisht në atë dreq vendi ku djalli fshihet pas inicialeve, që të dalë i hajrit për ligjin e për shtetin një person i propozuar nga ajo parti, e cila së fundmi ndërroi edhe emrin e vet, mu si dikur Ilir Metaj, kur u kthye në Ilir Meta”, shprehet kryeministri.

Në lidhje me reagimet politike, kreu i qeverisë thotë se nuk i takon politikës ta ndajë nëse Meta ka qenë apo ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, por Autoritetit të Dosjeve. Ai kërkon votimin në Kuvend të ndryshimeve të kërkuara nga Autoriteti në ligjin për dosjet, që do t’i hapte rrugën një hetimi të plotë mbi aktivitetin e bashkëpunëtorit me inicialet I.M në shërbim të Sigurimit të Shtetit. Rama shton po ashtu se Kuvendi duhet të diskutojë edhe mbi idenë e hedhur që edhe spiunët e Sigurimit të kthehen në subjekte të Ligjit për Pastërtinë e Figurës së të Zgjedhurve, i quajtur ndryshe Ligji i Dekriminalizimit.

“Por sigurisht, kjo historia e shpifur e njeriut me iniciale I.M, nuk mund të jetë dhe nuk do ta lejojmë të bëhet si bishti i skiles, ku ca thonë e lagu ca thonë s’e lagu e çudia tre ditë zgjat. Jo! Këtë histori nuk i takon politikës ta ndajë, po vetëm Autoritetit të Informimit mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit. Politika thjesht duhet të verë në dispozicion të atij Autoriteti mjetin e kërkuar ligjor, duke votuar në Kuvend ndryshimet e kërkuara nga vetë Autoriteti. Me ato ndryshime i hapet rruga një hetimi të plotë mbi aktivitetin e bashkëpunëtorit me inicialet I.M në shërbim të Sigurimit të Shtetit. Dhe kjo duhet jo vetëm për këtë bashkëpunëtor, po edhe për të tjerë me iniciale të tjera, të cilët deri më sot e kanë fshehur identitetin e tyre, pas klauzolës së privilegjit që u ka krijuar kontrolli kaotik e politik i viteve ’90. Nga ana tjetër po, patjetër, Kuvendi duhet të diskutojë mbi idenë e hedhur që edhe spiunët e Sigurimit të kthehen në subjekte të Ligjit për Pastërtinë e Figurës së të Zgjedhurve (i quajtur ndryshe Ligji i Dekriminalizimit)”, shprehet Rama mes të tjerash.