“Dokumentacioni i mangët”, Celibashi paralajmëron rrëzimin e kërkesës së PD

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi pritej që të deklaronte në orën 11:00 vendimin që do të merrte ky institucion në lidhje me kërkesën e grupit “Alibeaj” për t’u regjistruar në zgjedhjet lokale të 14 majit me logon e Partisë Demokratike.

Por Celibashi doli përtej parashikimeve në konferencën me gazetarët, ku i është përgjigjur dhe pyetjes se kur përfundon afati prej 48 orësh që ai nga mbledhja e së enjtes në KQZ i la Lulzim Bashës për të paraqitur firmën mbi “deklaratën e angazhimit solemn të kryetarit të partisë politike”.

Teksa la të kuptohej se logoja e Partisë Demokratike rrezikon të mbetet e papërfaqësuar në zgjedhjet lokale për shkak të mungesës sipas tij të një dokumentacioni të plotë nga grupi “Alibeaj”, Celibashi njoftoi indirekt edhe shtyrjen me 12 orë të afatit për firmën e Lulzim Bashës si kryetar partie.

Ai deklaroi se vendimi do të jepet kur  të mbarojë afati prej 48 orësh dhe sipas intepretimit ligjor të cilit kryetari i KQZ i referohet, ky afat është në orën 12:00 të mbrëmjes së sotme.

“Përgjigjja për pyetjen tuaj është vendimi që unë si komisioner do të marr pasi të ketë kaluar afati 48 orë që i është në lënë në dispozicion PD-së për të plotësuar dokumentacionin që në bindjen time është i mangët. Afati përfundon sot në mesnatë”, u shpreh ai.