Djegia e shtëpisë së Klodian Çalamanit/ Halla e Mateos: Nuk e kemi bërë ne, s’i njohim zjarrvënësit

Halla e 8-vjeçarit Mateo Vasiu ka folur sot për emisionin “Me zemër të hapur” në News24. Ajo tha se janë përballur me komente dhe akuza se mund të jenë ata autorë e djegies së shtëpisë autorit të krimit Klodian Çalamani, por shtoi se kjo është e pavërtetë.

Zonja Pranvera dhe se në kamerat e sigurisë shfaqen dy persona që me diçka në dorë, pishtarë apo bidonë shkojnë në banesë dhe i vënë flakën.

“Policia nuk i ka marrë këto pamje. Ne nuk i njohim këta persona është shumë e rëndë që janë ngritur akuza të tilla. Ne kemi qene dhe më parë në atë shtëpi, po të kishim atë qëllim…”,tha halla e Mateos.

Lidhur me ekspertizën mjeko-ligjore për Mateon, ajo tha se kanë përgatitur një prokurë për avokaten që ta tërheqë, por ata vetë nuk e kanë parë ende.

“Nuk e kemi marrë ekspertizën. Përgatitëm një prokurë për avokaten dhe nesër do e dorëzojmë që ajo të na e tërheqë. Ne nuk kemi asnjë lloj kontakti me policinë. Informacionet që kemi marrë i kemi marrë nga gazetarët, ku flitet dhe për një lloj tjetër abuzimi”, tha halla.

Sa i përket marrëdhënieve që familja Vasiu kishte me Klodian Çalamanin dhe dyshimet për një motiv nga ngjarja e 2005 ku ishte përfshirë dhe xhaxhai i Mateos, ajo tha se Çalamani nuk vinte në shtëpinë e tyre, pavarësisht se e ndihmonin me ushqime, ndërsa theksoi se ngjarja e 16 viteve me parë nuk ka asnjë lidhje me krimin makabër.

“Ne e ndihmonim por Çalamani nuk vinte në shtëpi. Unë nuk e njihja fare. Ngjarja e 2005 nuk ka asnjë lidhje me këtë ngjarje. Njerëzit i janë kthyer historisë, por nuk ka lidhje.
Sipas dyqanit të bukës, Mateo nuk ka shkuar për të blerë bukë. Ne nuk kemi gjetur asnjë lloj njolle gjaku në shtëpinë e Çalamanit dhe dyshojmë se ai nuk ka qenë vetëm”, tha halla e 8-vjeçarit.