“Ditët Evropiane të Arkeologjisë”/ Në Parkun Arkeologjik të Apolonisë demonstrohet sot hapja e mozaikut

Durrësi ishte stacioni i parë gjatë javës në kuadër të aktivitetit “Ditët Evropiane të Arkeologjisë”, që po zhvillohet në disa prej siteve më të njohura të vendit në datat 17-19 qershor.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti publikoi në rrjetet sociale momente nga ky aktivitet ku brenda hapësirave të arenës së amfiteatrit të Durrësit u realizua demonstrimi i një gërmimi arkeologjik, me pjesëmarrjen e studentëve të Fakultetit të Historisë.

Ndërkaq gjatë ditës së sotme, në parkun arkeologjik të Apolonisë do të zhvillohet demonstrimi i hapjes së një mozaiku pranë këtij parku, vizitë me udhërrëfyes në Muzeun Arkeologjik, PAA, vizitë me udhërrëfyes në Parkun Arkeologjik të Apolonisë dhe Muzeun Arkeologjik.

“Ditët Evropiane të Arkeologjisë” organizohen nga INRAP (Institut National de Recherches Archéologiques Préventives) në Francë dhe kanë si qëllim promovimin e trashëgimisë kulturore e kryesisht asaj arkeologjike, ku çdo shtet merr pjesë me një kalendar aktivitetesh.