Dikush nga mazhoranca i bëri presion? Paloka flet për dorëheqjen e Bamir Topit: Negociatat me Bashën

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, ka komentuar dorëheqjen e beftë të Bamir Topit si kreu i FRD-së.

I ftuar në “Kjo Javë”, Paloka tha se nuk e di arsyen konkrete pse Topi mori këtë vendim.

Megjithatë, sipas Palokës “FRD është pjesë e koalicionit të 14 partive që kanë qëllim fitoren në zgjedhje, për ndryshimin e këtij realiteti.”

“Zoti Topi nuk është se ka qenë jashtë negociatave, kontaktet filluan mes tij dhe Bashës disa muaj më parë. Di që nuk ndryshoi asgjë nga marrëveshja e nënshkruar nga negociatori i fillimit zoti Topi me PD. Nuk e di cia ka qenë arsyeja e dorëheqjes. Dikush i bëri presion? Unë nuk mund të flas për këtë, nuk e di arsyen konkrete pse ai e mori këtë vendim. Ne dimë që FRD është pjesë e 14 partive të koalicionit që kanë qëllim fitoren e zgjedhje, që të ndryshojmë këtë realitet”,- tha Paloka.

Në lidhje me postet që do të marrin aleatët në rast se opozita e bashkuar fiton zgjedhjet, Paloka u shpreh se gjithçka do ndahet në bazë të votave të mbledhura prej tyre.

“Postet pas zgjedhjeve ndahen në bazë të votave të marra, nëse do kenë aq vota sa të marrin ministër ata duhet ta marrin”,- shtoi ai.