Diaspora mbetet pa agjenci, MEPJ: Do kursejmë 71 mln lekë

E krijuar 5 vite më parë, Agjencia e Diasporës do të shkrihet. Arsyet e një vendimmarrjeje të tillë nga ana e qeverisë lidhen me kostot dhe faktin se punën e kësaj strukture e bën prej vitesh një sektor në Ministrinë e Jashtme, shkruan Euronews Albania.

Në këtë ministri do të ketë një riorganizim të brendshme, duke i kursyer buxhetit të shtetit, siç thotë projektligji ku propozohet shkrirja, 71 milionë lekë, nga të cilat 35 milionë janë shpenzime për personelin. Me paratë e qirave për zyrat mund të ngrihet një qendër kulturore në një shtet ku ka shumë shqiptarë.

Agjencia që merrej me çështjet e diasporës, thuhet në projektligj, thjeshton proceset që lidhen me to, por i ndërlikon duke sjellë kosto të panevojshme në buxhetin e shtetit.

Një vit më parë u shkri Ministria e Diasporës e drejtuar nga Pandeli Majko. Tashmë shkrihet edhe agjencia. Punën e saj do ta bëjë një departament në Ministrinë e Jashtme dhe ambasadat e konsullatat shqiptare nëpër botë.

Sipas statistikave të INSTAT, Shqipëria është vendi me diasporën më të madhe në botë ne raport me numrin e popullsisë, nëse nuk llogarisim vendet e vogla, nën 1 mln banorë. Shqiptarët e diasporës humbën ministrinë, por prej vitesh nuk kanë as të drejtë vote, që pavarësisht premtimeve, nuk është mundësuar asnjëherë.