Dhjetëra automjete të vjetra që kanë statusin “Retro”, ekspozohen në qytetin e Sarandës

Në jug të Shqipërisë, në kuadër të aktiviteteve për hapjen e sezonit veror në Sarandë, Jane ekspozuar automjete ‘Retro’.

Koleksioni i automjeteve që është publikuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në rrjetet sociale është bërë pjesë e aktivitetit të quajtur “Konkursi i Elegancës”, ku qytetarët e ndryshëm do kenë mundësi të votojnë fizikisht dhe online për të zgjedhur automjetin e preferuar.

Këto automjetet të vjetra që sot njihen zyrtarisht nën logon “Retro” posedohen nga koleksionistë të ndryshëm nga Shqipëria, ndërkohë koleksioni në fjalë shpesh “shëtit” në qytete të ndryshme të Shqipërisë për aktivitete dhe ceremoni të ndryshme.

Statusi “Retro” nënkupton regjistrimin e tyre zyrtar nga institucionet si automjet i dalë nga qarkullimi dhe i ruajtur për qëllime koleksioni dhe që njihet për vlerat historike që mbart.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor të Shqipërisë, janë mbi 330 mjete qe kanë marrë statusin “Retro”, duke u targuar me këtë status, përfshirë makina dhe motorë. Gjithashtu janë identifikuar dhe verifikuar dhe qindra mjete të tjera, që janë vlerësuar nga ky institucion si mjete që kanë vlera historike dhe që nuk janë në qarkullim, në pritje për të marrë këtë status.