Dështon vaksina gjermane CureVac, kompania anulon kërkesën për miratim nga EMA

Kompania gjermane e bioteknologjisë CureVac vendosi të tërheqë kërkesën e paraqitur në Agjencinë Evropiane të Barnave (EMA) për miratimin e përdorimit urgjent të vaksinës që po përgatiste për koronavirusin, sipas njoftimit të saj të martën.

Rezultatet zhgënjyese të fazës përfundimtare të testeve të saj në qershor treguan se vaksina mbron kundër Covid vetëm 47%. Sidoqoftë, kompania njoftoi se do të vazhdonte të punonte me GSK për të zhvilluar një vaksinë të gjeneratës së dytë të bazuar në teknologjinë mRNA.

Tërheqja e aplikimit të vaksinës CureVac gjithashtu i jep fund marrëveshjes me Bashkimin Europian për të blerë më shumë se 400 milion doza.

Sa i përket vaksinës së gjeneratës së dytë, testimi pritet të fillojë në muajt e ardhshëm, me qëllim të sigurimit të miratimit për përdorim në vitin 2022. CureVac tha se rezultatet e hershme të testeve të kafshëve tregojnë një përgjigje të fortë në krahasim me atë të mëparshëm.