Dështojnë prokurorët që e gjykuan viktimën që mbeti sot i vrarë, dosja e tij gjendej në SPAK

Viktima e atentatit të paraditës të së martës në Rrëshen, Kastriot Reçi, është një nga emrat e dorzuar më SPAK nga Prokuroria për Krimet e Rënda, e cila e kishte viktimën nën hetim prej vitit 2016, si të dyshuar për drejtues të një organizate kriminale në trafikun e narkotikëve.

Burime konfidenciale nga policia deklarojnë se hetimi për këtë rast është ndjekur nga prokurori,që tashmë është i shkarkuar nga Vetingu, Përparim Kulluri dhe oficeri i Policisë Gjyqësore Bledar Valikaj, bashkëshorti i deputetes sociale Ermonela Felaj, i emëruar para disa kohësh si prokuror nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Pas më shumë se 3 vitesh veprimesh proceduriale, ky grup hetimor nuk arriti në asnjë konkluzion dhe dosja i kaloi për veprime të mëtejshme Prokurorisë Speciale-SPAK.

Tensionet pas zbulimit të magazinës

Zbulimi i magazinës me drogë në Rrëshen u shoqërua me acarim raportesh brenda radhëve të Policisë së Lezhës.

Një grup policor, i drejtuar nga inspektori I.S. kishte marrë informacione se në magazinën në pronësi të Kastriot Reçit, në hyrje të qytetit të Rrëshenit, ishte magazinuar dhe përpunohej një sasi e konsiderueshme lëndësh narkotike.

Grupi i vogël policor arriti të identifikonte një numër të konsiderueshëm personash në brendësi të magazinës. Policët mbyllën nga jashtë dyert e magazinës, në pritje të përforcimeve, pasi kishin dyshime të forta se brenda kishte njerëz të armatosur.

Grupi policor njoftoi eprorët për forca shtesë, por, siç raportonin burime të uniformave blu në atë kohë, zyrtarët të lartë në Drejtorinë e Policisë Vendore Lezhë u tërhoqën vëmendje se përse kishin ndërhyrë pa një plan të miratuar paraprakisht.

Situata u zgjidh me ndërhyrjen e Prokurorisë së Lezhës, e cila, e informuar nga uniformat blu në terren për situatën, insistoi që të kryhej kontrolli i magazinës me forca të mëdha policore.

Këto zhvillime krijuan dyshimet paraprake, gjithësesi të forta, se Kastriot Reçi zhvillonte aktivitetin e tij kriminal me mbështetjen e drejtuesve lokalë policorë. Dyshimet forcoheshin edhe për faktin se magazina e drogës ishte në një vend shumë publik, i rrahur nga qytetarët dhe forcat policore, e, megjithatë, strukturat ligjzbatuese nuk kishin rënë “në erë” të veprimtarisë së paligjshme.

Ndërkohë, shumë pak kohë pas zbulimit të sasisë gjigande të narkotikëve, inspektori I.S. dhe dy kolegët e tij, të cilët bllokuan magazinën, “u transferuan” në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit.

Burime të brendshme policore të asaj kohe e lidhnin “transferimin” e tyre me zbulimin e magazinës. Por, gjithësesi, asnjë punonjës policie nuk i formalizoi këto dyshime.

Të gjithë për “moskallëzim krimi”

Pas ndërhyrjes, në magazinë u gjetën rreth 30 persona, pjesa më e madhe femra, të cilat po pastronin dhe përpunonin një sasi të madhe kanabisi. Pas peshimit, proces që zgjati më shumë se 30 orë, Policia arriti të shënonte shifrën e 4.3 ton lëndë narkotike.

Të gjithë personat që u gjendën në magazinë u arrestuan, fillimisht të dyshuar për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”.

Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Lezhës i dërgoi 30 punëtorët në gjykim për “moskallëzim krimi”, duke zbutur akuzën ndaj tyre. Gjyqtari që e shqyrtoi i pari çështjen, konstatoi se prokuroria kishte zbutur pa të drejtë akuzat ndaj të arrestuarve dhe vendosi që ata të gjykoheshin për “prodhim shitje narkotikësh”.

I njëjti gjyqtar, pasi vlerësoi se akuza penale duhet të ishte më e rëndë, shpalli moskompetencës, pasi këto raste gjykohen nga një trupë e përbërë nga 3 gjyqtarë.

Treshja e gjykatës së Lezhës pranoi kërkesën e Prokurorisë, dhe i dënoi të gjithë të arrestuarit për “moskallëzim krimi”.

Hetimet “e lodhura” për Kastriot Reçin

Ndërkohë, Prokuroria për Krime të Rënda nisi hetimet për pronarin e magazinës, Kastriot Reçi, si të dyshuar për “pjesëmarrje në organizatë kriminale”.

Për tre vjet, grupi hetimor u rrotullua rreth një fakti. Nga të dhënat e siguruara në vendngjarje, u zbulua se magazina, megjithëse ishte në pronësi të Kastriot Reçit, ai e kishte dhënë me qera tek një person tjetër.

Ky person, megjithë veprimet hetimore, nuk u zbulua asnjëherë, duke ngritur dyshimet se kontrata e qirasë ishte fiktive dhe se aktiviteti kriminal drejtohej nga Kastriot Reçi. Por, deri në momentin e atentatit të tij, nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda, e së fundmi SPAK, nuk u artikulua asnjë akuzë zyrtare për rastin e “magazinës së drogës”./apel.media