Denis Dyrnjaja: Dalldia që po vret të rinjtë e Shqipërisë!

Kuptimi i një aksidenti vetëvrasës. Kjo do të duhej te ishte temë e analizave mediatike, që me gjasë nuk do të ndodhë, pasi të gjithë po merren me detajet dhe pasojat e jo me shkaqet e aksidentit fatal që iu mori jetën 3 të rinjve së fundi në unazën pranë TEG-ut në Tiranë. Por le të përmendim disa elementë për t’i dhënë kuptim një ngjarjeje tragjike si kjo. Elementi kryesor dhe që e bën ngjarjen shumë të rëndë e të dhimbshme është se viktimat janë të një moshe shumë të re nga 20 deri në 25 vjeç. Elementi i dytë është fakti që një djalë vetëm 20 vjeç posedon një makinë me vlerë rreth 100 mijë euro, shumë luksoze dhe të shpejtë. Elementi i tretë është fakti se kemi viktima dytësore, në këtë rast dy vajza të reja që në kërkim të luksit dhe jetës së shfrenuar, gjetën vdekjen. Kur sheh dinamikën e aksidentit, automjeti me të cilin lëviznin 3 të rinjtë nuk ka frenuar fare para se dalë nga rruga. Kjo të çon në dyshimin se drejtuesi i automjetit mund të ketë qenë nën efektin e alkoolit ose narkotikëve. Sikurse kanë dalë të dhënat nga profili i tij në rrjetet sociale, 20 vjeçari që ngiste audin luksoz ishte gjithashtu një përsëritës në shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor, veçanërisht i shpejtësisë ekstreme. Ai ka të publikuar video ku udhëton me shpejtësi gati 300 km/orë. Po kështu rezulton si i skeduar edhe për mos respektim të rregullave të tjera të kodit rrugor. Thënë troç ishte kontingjent rriksu për fatalitet. Por a është vetëm ai fajtor në këtë aksident? Sigurisht që jo. Psh është e pakuptueshme deri në absurd sesi mund t’i blesh, dhurosh apo edhe lejosh fëmijës 18, 19 apo 20 vjeç të posedojë një makinë luksoze. Dhe kjo është përgjegjësi e familjes e ky nuk është një rast i izoluar, por për fat të keq një mendësi shumë e përhapur. Është trend që adoleshentët të kenë makina luksoze dhjetëra mijëra euroshe pa punuar asnjë ditë të vetme në jetën e tyre, të veshin rroba të markave të shtrenjta e të demonstrojnë jetën ekstravagante në publik. Po për kë bëhet kjo paradë luksi? Së pari për karshillëk mes llojit dhe për të tërhequr vëmendjen e vajzave të reja. E ato nuk mungojnë në këtë panoramë absurdi. Herë të ardhura nga rrethet për një jetë më të bukur dhe pse jo luksoze në kryeqytet, por edhe ato që jetojnë në Tiranë, pa ndonjë perspektivë konkrete punësimi në kërkim të aventurave të moshës, shndërrohen në target për këtë kategori djemsh. Të dyja palët kanë çfarë të japin e marrin. Është një lloj tregëtie me shkëmbim, që lehtësisht kuptohet tanimë se si funksionon. Dhe në këtë tregëti ka një kontribut të madh por shumë negativ edhe media. Po të shohësh në ekrane televizive dhe mediat online dominojnë vitrinat e seksit dhe modeleve të luksit të shfrenuar. Pak kohë më parë bëri bujë deklarata e një showgirli që harxhonte 5 mijë euro në muaj vetëm për mirëmbajtjen fizike. Dikush mund ta ketë këtë mundësi financiare, por jo gjithkush ama, e aq më shumë një vajzë që punon si imazh, për një pagë modeste. Pra ky model i ofrohet publikut në mënyrë masive dhe pa kriter, duke ndezur fantazinë edhe te të rinjtë e tjerë që kjo është ajo që duhet bërë dhe arritur, ky është modeli i suksesshëm. Pasurimi i shpejtë dhe nevoja për përfitime është shndërruar në një binom dalldie dhe mediavnë vend të dekurajimit të kësaj mënyre e promovon atë për interesa banale shikueshmërie. Adoleshentë që përdorin rrjetet sociale për të ekspozuar jetën e shfrenuar, vajza që rendin pas luksit të rëndë, prindër që nuk dinë ku mbaron kontrolli dhe detyrimi familjar e ku fillon liberaliteti. Media që në vend që të përdorë ndërgjegjësimin, përdor shfrytëzimin e kësaj mendësie dhe dalldie komunitare. Pra këto janë shkaqet e jetëve të humbura dje e që do të vazhdojnë fatkeqësisht të humbin përsëri, sepse shoqëria ka humbur ekuilibrin dhe refenrecën. Rruga dhe vulgu është ngritur në piedestalin shoqëror, për famë dhe para dhe kjo mënyrë po reklamohet frikshëm. Aksidentet kanë ndodhur, ndodhin dhe do të ndodhin. Por ky i fundit me 3 të rinj që mbyllën jetën me një akt vetëvrasës të padëshiruar, hyn te ajo kategori aksidentesh që e kanë fundin të paralajmëruar që në fillim, sepse e gjithë shoqëria është në një stad të thellë e të rëndë, që mund të përkufizohet pa droje, si degradim!