Dendias: E ardhmja e Ballkanit është Europa, jo rindërtimi i Perandorisë Osmane

Vërtet, ka thënë Dendias, që Serbia dhe Turqia për shembull kanë marrëdhënia të mira, por edhe Athina me Beogradin ruajnë një nivel shumë të mirë lidhjesh dhe të mos harrojmë -është shprehur ai- se shumica e shteteve në rajon kanë zgjedhur integrimin evropian si qëllim strategjik të tyre.

“Më lejoni t’ju jap një shembull: Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të cilin e njoh mirë, mban marrëdhënie të përzemërta me presidentin turk. Megjithatë, kjo nuk e pengon atë të jetë një nga përkrahësit më të rëndësishëm të perspektivës europiane të vendit të tij. Një perspektivë e cila do të thotë se Shqipëria do të jetërsojë plotësisht një kod parimesh dhe vlerash në kundërshtim me riekzaminimin kritik të historisë (revizionizmin). Europa është e ardhmja e Ballkanit dhe jo rindërtimi i Perandorisë Osmane”, tha Dendias.

Dendias ka shprehur kënaqësinë e tij për zhvillimin e konferencës së parë ndërqeveritare të BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut,ndërsa ka folur edhe për të drejtën e Greqisë të zbatojë zgjerimin e ujërave të saj territoriale me 12 milje edhe në zona të tjera, përveç atyre në kufij me Shqipërinë.

“Në janar 2021, pata nderin t’i propozoja Kuvendit të Greqisë, në emër të qeverisë, projektligjin për shtrirjen e ujërave territoriale në Jon, deri në Kepin e Tenaros, në 12 milje detare. Ky është një projektligj me rëndësi historike, pasi për herë të parë që nga viti 1947, Parlamentit iu kërkua të votohej për rritjen e zonës së sovranitetit kombëtar, duke ushtruar një të drejtë sovrane që rrjedh nga Konventa e OKB-së mbi Ligjin e Detit. Sipas nenit 1, paragrafi 2 i këtij ligji, vendi ynë shpreh qartë se rezervon privilegjin për të ushtruar këtë të drejtë përkatëse në rajonet e tjera të territorit. Prandaj shtrirja e ujërave territoriale në 12 milje detare përbën një privilegj të patjetërsueshëm që buron nga e Drejta Ndërkombëtare dhe që vendi ynë do ta ushtrojë në çdo vend dhe në çdo kohë që do të zgjedhë, me qëllim mbrojtjen e interesave kombëtare”.