Dëmtimi i buxhetit/ Kirurgu Koni denoncon skandalin në shëndetësi

Qeveria abuzon me fondet e buxhetit në shëndetësi duke krijuar mundësinë e ndarjes së përfimit me firmën e stërilizimit të autoklavave. Bëhet fjalë për 17 milion euro, shumë e dalë nga buxheti i shtetit, për dezinfektimin e pajisjeve të ndërhyrjeve kirurgjikale, në sallat e operacionit në spitalet e gjithë vendit. Kostoja e vërtetë e sterilizimit përllogaritet në 1,5 milion euro në rang kombëtar, ndërsa Ministria lëvron fondin prej 17 milion eurosh. Ku shkojnë 15,5 milion euro?

Skandali me urdhrin e dalë nga Ministria e Shëndetësisë, pak ditë më parë drejtuar spitaleve në vend, për  të reduktuar numrin e ndërhyrjeve kirugjikale, u denoncua fillimisht nga kirurgu i QSUT, Artan Koni.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, doktori i njohur urolog Artan Koni ka treguar skemën e abuzimit me fondet për shëndetësinë.

Ai thotë se Ministria ka zgjedhur të privilegjojë me fitime marramendëse  kompaninë e sterilizimit, pasi ajo paguhet 80 herë më shumë, se sa kostoja reale për sterilizimin e seteve kirurgjikale.

Deklarata e plotë:

Sot kam vendosur që të denoncoj me fakte dhe shifra një grabitje kolosale që po i bëhet buxhetit të shtetit me anë të një koncesioni, që ju e njihni shumë mirë, siç është koncesioni i sterilizimit.

Në vitin 2016 Ministria e Shëndetësisë nënshkroi një marrëveshje me kompaninë “Sali Serves” për sterilizimin e  paisjeve kirurgjikale në të gjitha spitalet e Shqipërisë. Siaps kësaj marrëveshje kompania do të paguajë për sterilizimin e çdo seti kirurgjikal sipas formulës “pay and use”. Konkretisht kompania do të paguajë 100 euro për këtë setin e vogël, 190 euro për setin mesatar dhe 290 euro për setet e mëdha. Me vlerë totale që u vendos për këtë koncesion 12.3 miliard lekë ose rreth 100 milion euro.

Nëse merr vetëm vitin 2018 bazuar në të dhënat e Fondit të Sigurimit janë kryer në rang kombëtar 90 mijë ndërhyrje kirurgjikale dhe shteti shqiptar e ka paguar kompaninë private 2.87 miliardë lekë ose rreth 17 milion euro. Pra, shteti shqiptar ka paguar mesatarisht 190 euro për sterilizimin e një seti të vetëm kirurgjikal. Kjo pagesë prej 17 milion euro kaloi kaloi në 3.6 milion euro parashikimin e Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2018. E gjendur përballë kësaj situate, në fillim të vitit 2019 Ministria e Shëndetësisë i dërgon një shkresë spitaleve më të mëdha në vend, ku iu kërkohen që të zvogëlojnë numrin e operacioneve. E thënë ndryshe, Ministria e Shëndetësisë nuk i kërkon kompanisë private që të rishikojë tarifat, apo të anullojë tërësisht këtë koncesion, po i kërkon mjekëve që të dërgojë në shtëpi disa nga pacientët që kanë nevojë për operacion. Pra, midis shëndetit të pacientit dhe fitimit të kompanisë, ministria zgjedh kompaninë.

Po sa lekë i duhen shtetit shqiptar për sterilizimin e të gjitha seteve kirurgjikale  në rang kombëtar? Gjatë kësaj llogarie të thjeshtë fare do të llogarisim maksimumin e mundshëm të lekëve që i duhen shtetit shqiptar për sterilizimin e të gjithë paisjeve mjekësore.

Në shqipëri ka 42 spitale shtetërore, nëse supozojmë që çdo spital ka mesatarisht 5 autoklava, atëherë në rangun kombëtar kemi 210 autoklava.

E dimë shumë mirë se gjysma e spitaleve kryejnë shumë pak ndërhyrje kirurgjikale, sepse pjesa më e madhe e tyre bëhen në spitale rajonale shtetërore. Por le të supozojmë që të gjitha këto spitale punojnë me kapacitet të plotë dhe se operacionet nuk kanë të sosur, dhe se autoklavat e tyre punojnë pa pushim 24 orë në ditë për 365 ditë në vit.

Vetëm një autoklav shpenzon mesatarisht 6 kilovatorë energji elektrike, e cila kushton 0.13 euro.  Sëbashku harxhojnë gjithsej 1.5 milion euro energji elektrike në vit. Domethënë nga 1.5 milion euro që është kosto reale maksimale e sterilizimit kombëtar, shteti shqiptar i ka paguar kompanisë private 17 milion euro. Pra, sterilizimi i seteve kirurgjikale na kushton 12 herë më shumë se sa vlera maksimale e mundshme, pasi kemi marrë maksimalen e mundshme.

Le të supozojmë gjithashtu se autoklanet që kishin spitalet gjendje qenkan të amortizuara dhe na duhet të blejmë autoklane të reja. Një autoklan modern kushton mesatarisht 25 mijë euro. Pra 210 autoklane kushtojnë 5.2 milion euro. Autoklanet përdoren minimumi 10 vjet, kështu që 5.2 milion euro për autoklanet dhe 15 milion euro kosto maksimale për sterilizim në rang kombëtar, i bie që shteti shqiptar me 22 milion euro të mbyllë shpenzimet për sterilizim në rang kombëtar, për një periudhë 10 vjeçare.

Nuk duhet të harrojmë disa detaje të vogla, në vitin 2018 janë kryer 10 mijë operacione dhe kemi paguar 7 milion euro. Me këtë llogarinë tonë të thjeshtë i bie që sterilizimi  i 90 mijë seteve kirurgjikale  të kushtojë realisht 213 mijë euro, nëse do të kryehej si më parë në spitalet shtetërore. Dmth nga 2.4 euro për një set të vetëm kirurgjikal, i kemi paguar kompanisë 190 euro, pra 80 herë më shumë se sa kosto reale.

Me këtë llogari maksimale të mundshme, kuptojmë që ne mund të paguanim 1.5 milion euro dhe të paguanim 625 mijë operacione në vit, por kemi paguar 17 milion euro dhe kemi kryer 90 mijë operacione. E thënë ndryshe në vitin 2018 kemi dhënë aq lekë sa për të operuar 7 milion shqiptarë, por kemi operuar vetëm 90 mijë. Pra duket qartë që ne nuk kemi aspak një shtet të varfër, sepse një shtet i varfër nuk i ka mundësitë që të paguajë shifra të tilla marramendëse, por ne jemi një shtet i vjedhur deri në absurd./ apel.media