Delegatja e PD denoncon live falsifikimin e formularëve në Foltoren e Berishës: Nuk kam firmosur!

Delegatja e PD-së, Freskida Rapo në lidhje live në emisionin Open tha se firma e saj është falsifikuar dhe se nuk ka firmosur në Foltoren e Sali Berishës për të mbledhur Kuvendin Kombëtar.

Deputeti i PD-së, Agron Shehaj pasi verifikoi firmat e degëve 5 dhe 7, ku ka qenë edhe drejtues gjatë fushatës elektorale, konsistoi se zonja Rapo nuk kishte firmosur, edhe pse të dhënat e saj ishin mes 4200 formularëve që tashmë ndodhen në zyrën e Edi Palokës, në selinë blu.

Ajo fajëson Shehajn duke i thënë se përse nuk e ka denoncuar shkeljen e bërë nga ana e anëtarëve të foltores.

Sipas rrëfimit në emisionin, Shehaj ka marrë mbi 100 delegatë në telefon dhe i ka pyetur nëse kanë firmosur për të dalë në një përfundim nëse firmat janë të vërteta apo jo.

Sipas tij, 98% e personave që ka shkëmbyer telefonatë kanë firmosur me vullnet të plotë, ndërsa 2% jo dhe zonja Rapo është pjesë e atij dy përqindëshi.

Një ditë më pare ai u paraqit në zyrën e kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD-së, Edi Paloka për të verifikuar një pjesë të firmave të delegatëve.

“Zoti Shehaj më mori mbrëmë dhe më pyeti që më rezulton se keni firmosur dhe i thash jo, i thashë firmën time kush e ka falsifikuar. Zoti Agron duhet ta kishte denoncuar, nëse duhet të ishte e ndershme ai formular duhet të kishte dalë, të ishte bërë publik”, tha ajo.

“Zoti Shehaj ju ka marrë para apo pas se të dilte para kamerave”, pyeti Ilir Babaramo.

“Unë kam qenë në punë nuk e di, nga ora 4 e gjysmë pasdite. Po bëhemi qesharakë se unë kam telefonin, kam regjistrimin”, tha delegatja.

“Sot kemi rastin e parë që njëra palë thotë është firmëtare”, tha analisti Andi Bushati.

“Më ka marrë dikush dhe i kam thënë që nuk firmos, jam në një periudhë pauze, reflektimi. Dje në orën 4 e gjysmë. Unë nuk kam ditur asgjë, unë kam qenë kryetare seksioni”, tha Rapo.

“Shko në prokurori Freskida”, tha Shehaj.

“Keni qenë një ndër të parët që kritikoje për shkeljet që kryheshin në PD”, tha delegatja.

Shehaj në një komunikim për mediat të martë tha se do të shkojë në Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Sali Berisha që do të mbahet më 11 dhjetor, duke theksuar se mbi 4200 firmat e mbledhura nga foltorja e Berishës janë të sakta dhe të vërteta, duke shprehur anën që do të mbajë.