Zbulohet varianti i ri COVID me 32 mutacione, aktiv në 3 vende

Një variant i ri Covid me një numër jashtëzakonisht të lartë mutacionesh dhe që mund t’u shpëtojë vaksinave është identifikuar në tre vende të ndryshme, megjithëse numri i rasteve është shumë i vogël.

Sipas Inews.uk, lloji B.1.1.529, një degëzim i një varianti të vjetër të quajtur B.1.1, ka 32 mutacion dhe është gjetur në Afrikën e Jugut, Botsvana dhe një rast në Hong Kong, ku personi kishte udhëtuar së fundmi në Afrikën e Jugut. Deri më tani vetëm 10 raste të variantit janë vërejtur përmes analizës  gjenomike, por shkencëtarët thonë se mund të ketë të tjera të paidentifikuara ende. Profili i mutacioneve është shqetësues për shkak të potencialit të tij për të shmangur antitrupat që mund të luftojnë virusin.

Variantet e reja të Covid-it identifikohen nga virologët gjatë gjithë kohës dhe shpesh nuk përhapen përtej një sërë rastesh. Edhe nëse ata kanë aftësinë për t’iu shmangur vaksinave, nëse ato janë më pak të transmetueshme se një variant dominues në një vend, ato mund të shuhen shpejt.

Megjithëse grupi është i vogël, rasti në Hong Kong i eksportuar nga Afrika e Jugut nxit shqetësimet se më shumë infeksione do të jenë përhapur përmes udhëtimeve ndërkombëtare. Zyrtarët dhe shkencëtarët në Agjencinë e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar (UKHSA) po monitorojnë dhe hetojnë variantin.