Nga politologu Afrim Krasniqi/ Debati Shqipëri – BE

Ka një paradoks në mënyrën sesi ne e trajtojmë debatin në BE lidhur me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ata që janë në pushtet e shohin si cështje të vetë BE dhe veten si viktimë të tyre, ata në opozitë si dështim të palës që ka pushtetin këtu. Një numër i madh zyrtarësh që paguhen pa sukses të na mirëqeverisin kanë nisur një valë komentesh denigruese ndaj cdo kancelarie perëndimore që ka kritiika ndaj progresit të pamjaftueshëm në Shqipëri! Asnjë shtet serioz nuk vepron kështu.

Në fakt e verteta duket se është shumë më komplekse: vertetë ka vende që duan të rrisin stekën e standardeve të integrimit të AL/MV shumë më lart sesa u veprua me Bullgarinë e Rumaninë, por nga ana tjetër, 25 shtete i janë bashkuar idesë gjermane për 9 kushte emergjente për Shqipërinë drejt një vendimi pozitiv mbështetës. Nga ana tjetër ka një të vertetë tjetër të madhe, – klasa politike në Tiranë ka interes të mos ketë integrim të shpejtë, pasi një proces integrimi do të shoqërohej me më shumë monitorim dhe kontroll nga Brukseli, Berlini e Parisi, do të duhet të shoqërohet me përballjen me drejtësinë të politikanëve të korruptuar dhe sepse do të kërkonte politika transparente dhe llogaridhënëse në Shqipëri, – koncepte që ne i kemi braktisur prej kohësh. Në vetiminË e tyre ata ndjehen më të pushtetshëm personalisht, më pak të monitorueshëm dhe më të lirë të ndjekin praktika autoritariste në qeveri, në parlament, në partitë politike, në media, në publik  e kudo tjeter. Nëse klasa politike do ta donte integrimin, minimalisht do të kishte evituar krizën e thellë politike ku ndodhet vendi, do ta kishte arritur lehtësisht akordin politik për të paktën 6 nga 9 kushtet gjermane për Shqipërinë, dhe se do të kishte punuar në formë e përmbajtje tjetër për imazhin e Shqipërisë në kontinent.

Një vend që nuk bën dot as zgjedhje lokale konkurruese dhe që numëron pa asnjë reagim valët e emigrantëve që largohen nga vendi, de facto u ka dhënë argumentin e duhur çdo kritiku e skeptiku ndaj Shqipërisë. Dhe për këtë, në Tiranë nuk ka ende asnjë reflektim, asnjë ndjenjë përgjegjësie dhe asnjë vizion strategjik reagimi.

Po ashtu, shqetësimi i Tiranës zyrtare se po ngadalësohet edhe ecuria e Serbisë drejt BE është paradoksal, – Tirana zyrtare duhej të kërkonte vetë kushtëzimin e ecurisë së Serbisë me njohjen prej saj të Kosovës dhe jo të kundërtën…/apel.media