De Biasi firmos me kombëtaren e Azerbajxhanit, pjesë e stafit të tij do të jetë dhe ish-kapiteni i Shqipërisë

Që nga shkarkimi i tij në vitin 2017 nuk ka patur asnjë eksperiencë serioze si trajner dhe duket se tani ka ardhur momenti i duhur. Ai do të jetë trajneri i kombëtares së Azerbajxhanit. Kjo Federatë e ka njoftuar vetë këtë lajm, duke bërë të ditur se është në negociatat finale për emërimin e italianit.

De Biasi do të firmosë kontratë 2-vjeçare dhe ç’është e reja, Ansi Agolli do të jetë pjesë e stafit të tij në këtë kombëtare. Këtë lajm e ka zbuluar Dritan Shakohoxha, gazetar i “Super Sport”, teksa luhet derbi i kryeqytetit dhe ai është në koment. Ish-kapiteni kuqezi e njeh shumë mirë këtë Azerbajxhanin, pasi ka luajtur për tetë vite me ekipin më të mirë të këtij vendi.

Ai ka qenë një prej lojtarëve kryesorë të Karabag dhe ka mbajtur shiritin në shumë ndeshje. Vitet e fundit Agolli i është bashkuar familjes në Amerikë, duke u aktivizuar me New York Cosmos. Tërheqja si futbollist është shumë pranë dhe një aventurë si pjesë e një stafi teknik do jetë ekpserienca e parë e tiranasit, pas karrierës së gjatë si lojtar.