DASH: Është thelbësore për Kosovën dhe Serbinë të respektojnë zotimet e tyre

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit Amerikan, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet t’i respektojnë zotimet e tyre për implementimin e marrëveshjeve paraprake, përfshirë këtu edhe Asociacionin e Komunave Serbe. Gazeta Ekspress shkruan se sipas tij është thelbësore që Kosova dhe Serbia të respektojnë zotimet e tyre.

“Është thelbësore për Kosovën dhe Serbinë të respektojnë zotimet e tyre duke implementuar të gjitha marrëveshjet e mëparshme. Kjo përfshin edhe Asociacionin e Komunave Serbe”, ka thënë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Tutje në përgjigje thuhet se SHBA-ja nuk ka ndonjë përshkrim për mënyrën se si duhet të zbatohet marrëveshja për Asociacionin apo ndonjë tjetër marrëveshje dhe se kjo çështje është subjekt i asaj se si palët janë marrë vesh mes vete.

“Ne nuk japim ndonjë përshkrim se si kjo marrëveshje, apo ndonjë tjetër, duhet të implementohet. Teknikalitetet e implementimit janë subjekt i marrëveshjes mes palëve”, ka thënë ai.

Deri më tani qeveria Kurti ka deklaruar se nuk do të implementohet asosacioni i Komunave me shumicë serbe. Ndërkohë pala serbe është duke bërë përgatitje që çështja e Asociacionit të jetë pika e radhës që do të diskutohet gjatë takimit të radhës në Bruksel