Dalin para gjykatës të arrestuarit për sulmet në veri

Tre serbët e arrestuar pas sulmit me armë në veri të Kosovës ku u vra polici Afrim Bunjaku kanë dalë mëngjesin e sotëm para gjykatës në Prishtinë. Për ta do të vendoset masa e sigurisë. Ky është momen...
Dalin para gjykatës të arrestuarit për sulmet në veri
Foto: Dalin para gjykatës të arrestuarit për sulmet në veri

Tre serbët e arrestuar pas sulmit me armë në veri të Kosovës ku u vra polici Afrim Bunjaku kanë dalë mëngjesin e sotëm para gjykatës në Prishtinë. Për ta do të vendoset masa e sigurisë.

Ky është momenti kur ata dërgohen në Gjykatë dhe shoqërohen nga pjesëtarë të njësisë speciale të policisë.

Prokuroria Speciale ka kërkuar masën e paraburgimit për këta 3 persona për vepra të ndryshme penale që konsiderohen të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës dhe kryerja e veprave terroriste.

“Për këto vepra akuzohen tre të pandehurit që janë arrestuar dy ditë më parë në Banjskë të Zveçanit për shkak të sulmeve ndaj Policisë së Kosovës ku një polic mbeti i vrarë, një i plagosur dhe dy të tjerë të lënduar më lehtë”, raporti gazetarja Blerta Dalloshi Berisha.

Sulmi duket të jetë i mirëorganizuar, raportoi gazetarja. Sa i përket armëve, autoritetet nuk kanë dhënë detaje se nga kanë hyrë.

“Por dihet që ajo pjesë e territorit është më pak e kontrolluar mund të them nga institucionet dhe është një vijë kufitare shumë e gjatë, është mbi 350 kilometra. Ka hapësira të mjaftueshme që të mund të futen arsenal armësh në territorin e Kosovës”, raportoi gazetarja.

Edhe autoblindat dhe makinat ishin të kamufluara si të KFOR-it.

“Duke shkruar KFOR dhe madje markat e makinave ishin të ngjashme me të KFOR-it për të bindur ndoshta të tjerët që të mos dyshojnë fare. Sipas rregullave, policia e Kosovës nuk ka mandat që të kontrollojë KFOR-in kështu që ka qenë një kamuflim shumë i madh”, tha gazetarja.

Më tej gazetarja raportoi: “Nëse keni arritur të shihni edhe uniformat që ka njësia speciale e Kosovës ishin të ngjashme me të sulmuesve. Para 6 muajsh e ka ndërruar uniformën njësia speciale e Kosovës dhe ishin të ngjashme me të sulmuesve. Është përmendur fakti nga njësia speciale që kanë mundur ti ngatërrojnë në mal, dhe për këtë arsye dhe kanë hezituar të sulmojnë në mal pasi kanë mundur t’i ngatërrojnë edhe me vetë përfaqësuesit”.