“Cuculi më tha se Tirana ishte zgjedhje e gabuar/ Hasani: Superiorja e fortë ndryshe nga Maqedonia

Ferhan Hasani është prezantuar ditën e sotme si futbollisti më i ri i Partizanit. Fantazisti do të ketë të gjithë vëmendjen pasi për të ka pritshmëri të larta, megjithatë në konferencën për shtyp kërkoi të trajtohej si gjithë futbollistët e tjerë. Hasani tregoi se kishte komunikuar me Ardian Cuculin, ishin e Partizanit dhe se ky i fundit i kishte theksuar se Tirana do të ishte një zgjedhje e gabuar. Ndër të tjera, Hasani theksoi se Kategoria Superiore është e fortë, jo si në Maqedoni.

KAMPIONATI SHQIPTAR– “Kampionatin e di mirë e kam ndjekur prej kohësh. Që kur kemi nisur bisedimet kam filluar ta ndjej edhe me shumë. Për sa i përket anës sime se nuk kam ndeshje në këmbët, unë do të jem këtu për një kohë të gjatë. Do jap më të mirën për të arritur formën. Si do shkojë nuk e di, atë do e tregojë koha. Unë nuk do jem ndryshe, do jem si futbollistët e tjerë, mos më trajtoni ndryshe”.

ZGJEDHJA E PARTIZANIT– “Edhe Rama e tha më herët. Kemi pasur bisedime, të cilat kanë qenë të shkëlqyera. Kam pasur dëshirë, që të luaj në Shqipëri. Jam shumë i lumtur që sot jam këtu. Kam pasur dëshirë të bashkohesha me Partizanin”.

SULMI I PARTIZANIT- “Të them të drejtën nuk e kam diskutuar këtë pjesë. Do e vendosi trajneri se ku do luaj dhe nëse do të luaj apo jo. Do jap maksimumin për ekipin”.

ISH-SHOKËT E SHKËNDIJËS TANI NË SHQIPËRI- “Është pozitive që ish-shokët e skuadrës kanë ardhur në Shqipëri. Kjo do të thotë se futbolli shqiptar është në nivele të larta. Ka qenë lart, por me ardhjen e lojtarëve cilësor, shtohet më shumë cilësia. Ardhja e tyre tregon shumë për kampionatin. Është një kampionat i fortë dhe jo si në Maqedoni”.

SKEMA E DAJËS- “Unë e shikoj vetën aty ku do trajneri. Unë mendoj se normalisht unë jam një lojtar si gjithë të tjerët. Do jap maksimumin për arritjen e objektivave. Nëse dalim kampionë apo jo ia lë kohës”.

BISEDA ME CUCULIN- “Të them të drejtën, kur kishte zëra për kalimin tim te Tirana, Cuculi më mori në telefon dhe më tha se do të bëja zgjedhjen e gabuar. Më tha të zgjidhja Partizanin dhe jo Tiranën”.

GATI PËR DËBUTIM- “Nuk e di të them të drejtën, por do shikojmë se do jetë gjendja”.