Çuçi: Nuk do të ketë kampe refugjatësh për interesa të vendeve të tjera në Shqipëri

“Besoj se është bërë shumë e qartë, e thënë qartazi, që nuk do të ketë kampe refugjatësh për interesa të vendeve të tjera në Shqipëri!”

Kjo ishte përgjigjja e prerë e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, në një komunikim me mediat pas mbledhjes së qeverisë. Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve për këtë çështje që ka qarkulluar së fundi në mediat britanike dhe ato vendase, Çuçi shpjegoi se edhe në rastet kur emigrantët kalojnë tranzit, nuk do të qëndrojnë në Shqipëri.

“Kjo është thënë qartë nga Kryeministri, është thënë qartë nga Ministrja e Jashtme, është thënë qartë nga Ministri i Drejtësisë, është thënë qartë edhe nga Ministri i Brendshëm. Në lidhje me atë përcaktim që ju i referoheni, ajo është e kundërta madje! Ai është një përcaktim që edhe kur kalojnë tranzit, nuk do qëndrojnë në Shqipëri, por janë të detyruar vendet e origjinës, që të përgjigjen për ata emigrantë apo azilkërkues. Pra është e kundërta e asaj që thuhet në media”, tha ministri Çuçi.

Ai foli gjithashtu edhe për marrëveshjen që do të nënshkruhet ditën e premte në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive, për lejet e qëndrimit respektive në Kosovë dhe Shqipëri.

“Është një lajm i mirë për shtetasit e Kosovës, që tashmë do të marrin thjesht me një aplikim dhe pa dokumente, menjëherë Lejen e Qëndrimit, për pesë vite në Shqipëri, dhe brenda lejes së qëndrimit do të jetë dhe leja e punës. Dhe është lajm i mirë edhe për shqiptarët që banojnë apo punojnë në Kosovë, të cilët do të marrin leje qëndrimi në Kosovë, me procedura shumë më të lehtësuara se ç’janë sot”, tha ministri Çuçi.