Futbollisti Cristiano Ronaldo ka dërguar një mesazh prekës në mbështetje të Andre Gomesit të Evertonit, pasi ky i fundit e pësoi një lëndim të tmerrshëm të dielën në mbrëmje.
Gomes theu dhe e zhvendosi kyçin e këmbës së tij të djathtë, pas një ndërhyrjeje nga Heung-min Soni i Tottenahmit. Pas asaj ndërhyrjeje, këmba e Gomesit ngeci në barin e fushës dhe lojtarët e tjerë të të dy skuadrave mbetën të tronditur nga ky rast.
Evertoni e konfirmoi të hënën se 26-vjeçari ishte bërë operacion, të cilin e kishte kaluar me sukses, dhe tani pritet ta fillojë procesin rikuperues.
Shumë tifozë dhe futbollistë dashamirës kanë dërguar mesazhe në mbështetje të Gomesit, përfshirë këtu edhe yllin e Juventusit, Cristiano Ronaldo, i cili luan me Gomesin bashkë në ekipin kombëtar të Portugalisë.
Ronaldo shkroi në llogarinë e tij në instagram : “Rikuperim të shpejtë @aftgomez21, do të kthehesh edhe më i fuqishëm. Një përqafim të madh për ty”./apel.media