Covid-19 përkeqëson gjendjen në sistemin e ujërave të zeza

Qytetet amerikane janë duke parë një efekt anësor të padëshiruar të pandemisë së koronavirusit. Kanalizimet po bllokohen me letrat e posaçme higjienike të pastrimit të bebeve, por askush nuk i dëgjon lutjet për të ndalur hedhjen e tyre në tualet. Zyrtarët thonë se ka patur një rritje prej shtatëmbëdhjetë tonësh të hedhjes së këtij produkti për bebet, që po bllokon tubat e ujërave të zeza, pavarësisht një investimi të madh në makina për pastrimin e tyre.

Pandemia e koronavirusi çoi në mungesa të letrave higjienike, duke shtuar përdorimin e letrave higjienike për bebet dhe produkte të tjera dezinfektuese të cilat nuk duhet të hidhen në tualet.

Zyrtarët në qytete, komunitetet rurale dhe Agjensia Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit kanë bërë thirrje që njerëzit të jenë të kujdesshëm në lidhje me produktet që hedhin në tualet.

Thirrjet, në një kohë pandemie kur njerëzit po kalojnë një kohë më të madhe në shtëpi, duket se janë injoruar sepse operatorët e impianteve të ujërave të zeza raportojnë një rritje të bllokimit të tubave, dëmtim të pompave dhe pajisjeve të tjera.

“Në mars dhe prill të vitit 2020, në kulmin e pandemisë, kemi parë një rritje prej 17 tonësh të letrave higjinike për bebet krahasuar me të njejtën periudhë të vitit 2019, në vetëm një stacion të përpunimit të ujërave të zeza. I shohim ato çdo ditë. Askush nuk po i zbaton paralajmërimet tona”, tha Lynn Riggins, zëdhënëse e kompanisë WSSC Water në Uashington. Kjo kompani ka 1.8 milionë klientë në zonën e kryqytetit amerikan.

Ky nuk është një problem i ri dhe për trajtimin e tij zonja Riggins tha se kompania WSSC Water ka shpenzuar 1.5 milionë dollarë gjatë dekadës së kaluar, duke instaluar pompa për pastrimin e produkteve si letrat higjienike për bebet.

Në stacionin e tyre më të madh të quajtur Anacostia II, Riggins tha që ata po përdorin makina të veçanta për heqjen e këtyre mbeturinave nga kanalizimet.

“Mos i hidhni në tualet, por në koshin e plehrave sepse kjo do t’u kushtojë të gjithëve para. Kjo na kushton sepse ne duhet të instalojmë pompa për heqjen dhe transportimin e tyre. Kjo mund t’u kushtojë më shumë pronarëve të shtëpive. Nëse letrat higjienike për bebet bllokojnë tubat e ujërave të zeza në shtëpinë tuaj, zhbllokimi i tyre do të jetë i nevojshëm dhe me kosto shumë të lartë”, thotë zonja Riggins.

Problemet sanitare dhe riparimet urgjente në sistemet e ujërave të zeza janë bërë të zakonshme në të gjithë vendin gjatë pandemisë së koronavirusit.

Për të trajtuar këtë problem, në mars Uashingtoni u bë shteti i parë që miratoi një ligj për vendosjen e etiketave paralajmëruese në pakot e letrës higjinike për bebet, me mbishkrimin e qartë “Mos e Hidhni në Tualet”.

Një legjislacion i ngjashëm është duke u shqyrtuar në Kaliforni.

Qindra zona, si një pjesë e qytetit të Filadelfias, kanë kombinuar sistemet e kullimit të ujërave të stuhive me ato të ujërave të zeza, që sipas zyrtarëve sanitarë rëndojnë edhe më tej situatën në qendrat e përpunimit të ujërave të zeza.

Ndërkohë, shumë qytete janë duke përdorur fushata të arsimimit të publikut kundër hedhjes së mbeturinave pandemike në tualet. /VOA