Covid – 19 mbyll një çerdhe në Vlorë

Çerdhja numër 2 në Vlorë është mbyllur pasi një punonjëse ka rezultuar pozitive me COVID. Mediat kanë  mësuar se edhe 3 punonjëse të tjera kanë shfaqur shenja të virusit dhe janë karantinuar.

Çerdhja do të qëndrojë e mbyllur deri në datën 5 dhjetor. Pas këtyre 2 rasteve pozitive edhe pjesa tjetër e stafit janë në pritje të tamponit. 

Kujtojmë se ky është institucioni i katërt që mbyllet në Vlorë. Aktualisht të mbyllura qëndrojnë për shkak të infektimit të personave me COVID edhe dy kopshte në Vlorë dhe një kopsht në Orikum. Lorenc Rexho, kreu i ISHSH ne Vlorë ka kërkuar respektim të  masave, ndërsa ka theksuar se në këtë çerdhe është bërë mbyllja për shkak të situatës së krijuar, ndërsa janë të mbyllura disa institucione, kopshte të tjera në Vlorë.

Në qytetin e Vlorës numri i të infektuarve me COVID është 801, ndërsa në total në të gjithë vendin shifrat e të infektuarve kanë shkuar në 32.761. Kurse numri i viktimave në të gjithë vendin është 699.