Çfarë e shkaktoi zjarrin në autobus, hipoteza e re nga mediat bullgare

Shkaqet e aksidenti tragjik ku humbën jetën 45 shqiptarë të Maqedonisë së Veriut në Bullgari janë ende të pazbardhura, ndërkohë që po hetohet në disa pista.

Mediat bullgare ‘24 çasa‘ raporton se shkaku kryesor i flakës në autobus mund të jetë transportimi i karburantit shtesë në tuba. Hetuesit i thanë gazetës se janë gjetur disa mbetje nafte, por mbetet për t’u parë si ka shpërthyer.

Pas përplasjes në autobusit, karburanti ka shpërthyer dhe gjithçka u dogj e u bë hi brenda pak sekontave. Karburanti shtesë dyshohet se ishte ngarkuar në autobus për shkak të diferencës së çmimit të naftës, pasi në Turqi një litër naftë kushton 1.33 leva bullgare, kurse në Bullgari dhe në Maqedoninë e Veriut rreth 2.40 leva. Transportuesi ndoshta po transportonte karburant shtesë për të ulur koston e udhëtimit.

Ka komente të ndryshme se çfarë saktësisht mund të ketë shkaktuar zjarrin, si dhe kur ka ndodhur, por nuk ka asnjë informacion zyrtar për të. Të mbijetuarit në aksident raportojnë se kishin dëgjuar një shpërthim të fortë dhe se më pas kishte filluar të përhapej tymi dhe zjarri në autobus. Mediat vendase sakaq hodhën edhe dyshime se në autobus kishte 1 mijë litra naftë dhe 30 mijë fishekzjarrë që do të hidheshin në tregun vendas për festat e fundvitit. Zjarri që përfshiu autobuzin ishte aq i fortë sa shumica e viktimave u dogjën aq sa trupat e tyre nuk mund të identifikoheshin.

Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 02:00 në autostradën Struma, 40 kilometra në jug të Sofjes, ku mes viktimave ishin edhe 12 fëmijë. Për shkak të ngjarjes së rëndë, Kosova shpalli 24 nëntorin ditë zie, ndërsa Maqedonia e Veriut, ka shpallur tre ditë zie në nder të 45 viktimave që humbën jetën në aksidentin tragjik.