Buxheti 2020/ Fondi rritje pagash është zero, nga 2 miliardë lekë që ishte në 2019

Projektbuxheti i vitit 2020 do të jetë i pakrahasueshëm me asnjë buxhet tjetër më parë. Ky buxhet dëshmon për të ardhura të parealizuara, ashtu dhe shpenzime, sidomos atyre për investime. Për qytetarët nuk parashikon as rritje të pagave e as rritje të pensioneve. Në krahasim me Prodhimin e Brendshëm Bruto, të ardhurat buxhetore pritet që të jenë në rënie, nga 28.5 % e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në 2019-n, në 28 % të PBB-së në vitin 2020. Kjo është hera e parë që ky tregues vjen në rënie në raport me PBB-në, që nga viti 2013. Treguesi me pritshmëritë më të ulëta në buxhet është TVSH-ja, të ardhurat nga e cila pritet të jenë 151.2 miliardë lekë, në të njëjtin nivel me 2019-n, në vlerë nominale, ndërsa në raport me PBB-në do të zbresin me 0.4 pikë përqindje në 8.5 % të PBB-së. TVSh-ja, një tregues direkt i konsumit, ka pasur performancën më negative edhe gjatë 9-mujorit të vitit 2019, me të ardhurat që kanë rënë me 4% për 9-mujorin, ku TVSh e brendshme është tkurrur me rreth 22 %, për shkak të efektit të gazsjellësit TAP, që po shkon drejt fundit. TVSh është zëri kryesor në buxhet, pasi sjell rreth 30 % të të ardhurave totale. Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin pritet të rriten me 13 %, nga akciza me 4.5 % dhe nga tatimi mbi të ardhurat personale me 13.3 %. Të ardhurat nga sigurimet pritet të rriten me 5 %, me bazë vjetore. Performanca e dobët e të ardhurave ka ndikuar dhe në kahun e shpenzimeve, me qeverinë që do të jetë e detyruar të shtrëngojë rripin vitin e ardhshëm, në mënyrë që të ruajë parametrat e buxhetit. Shpenzimet pritet të rriten me 2.3 % në 532 miliardë lekë. Shpenzimet për paga pritet të jenë 70 miliardë lekë, me një rritje prej 8.1 % në raport me një vit më parë. Fondi për politika të reja pagash është zero, nga 2 miliardë lekë që ishte në 2019-n. Shpenzimet për interesa do të jenë 40.9 miliardë lekë, me një rritje të lehtë prej 2.1% Kursime do të ketë edhe mbi shpenzimet kapitale. Sipas tabelave të projektbuxhetit, shpenzimet kapitale pritet të jenë 83.7 miliardë lekë, nga 87.5 miliardë lekë që është plani për 2019-n, me një rënie prej 4.2%, ku tkurrjen më të lartë do ta pësojnë investimet e brendshme(-8.6 %). Në raport me PBB-në, shpenzimet kapitale do të zbresin në 4.7 % të PBB-së, nga 5.1 % që është pritshmëria për 2019-n, duke shënuar nivelin më të ulët nga viti 2017./apel.media