Burreli sot pret Lushnjen/ Matjanët kërkojnë rikthimin tek fitorja

Sot në orën 13 e 30 do të luhet ndeshja e javës së 11 të kampionatit të kategorisë së parë në futboll ku matjanët do të përballen me ekipin e Lushnjes.


Ekipi i Burrelit do të kërkojë kthesën pas dy humbjeve radhazi të pësuara në transfertën me Korabin e Dibrës dhe Erzenin e Shijakut, ndeshje e cila u zhvillua në mesjavë.
Sakaq, matjanët pritet të jenë superior ndaj miqëve të cilët kanë arritur të grumbullojnë në 10 javë vetëm 9 pikë, me dy fitore, tre barazime dhe pesë humbje.
Djemtë e ekipit matjan do të kërkojnë patjetër tri pikët në këtë përballje e cila vjen pas rezultateve negative. Ndërkohë, pritet që pjesë e lojës të jetë edhe sulmuesi Effiong, i cili në ndeshjen me Erzenin është aktivizuar vetëm pak minuta.


Skuadra ka zhvilluar seanca të ngjeshura stërvitore gjatë këtyre ditëve ku puna është përqendruar në finalizimin e aksioneve, pas rasteve të humbura edhe ndaj shijakasve.
Burreli shkon në këtë përballje i pozicionuar në vendin e 11 me 12 pikë, ndërsa Lushnja në vendin e 13 me 9 pikë të mbledhura në 10 javë.