Buffet dhuron 2,9 miliard dollarë për bamirësi, duke e çuar shumën e dhuruar nga ai në…

Warren Buffett, një ndër njerëzit më të pasur të botës, dha rreth 2,9 miliard dollarë për katër familje bamirëse si dhe për fondacionin Bill & Melinda Gates, si pjesë e planeve për dhurimin e pasurisë së tij.

Në një deklaratë të mërkurën, kompania Berkshire Hathaway tha se ky është donacioni i 15-të i zotit Buffett që nga viti 2006.

Kjo e çon në më shumë se 37.4 miliard dollarë shumën e përgjithshme të dhuruar deri tani nga zoti Buffett, i cili mbush 90 vjeç më 30 gusht të këtij viti.

Katër të pestat e donacioneve kësaj here i shkojnë Fondacionit Gates. Pjesa tjetër shkon për Fondacionin Susan Thompson Buffett, emri i gruas së parë të zotit Buffett si dhe organizatave bamirëse të drejtuara nga fëmijët e tij Howard, Susan dhe Peter.

Sasia më e madhe e dhuruar ndonjëherë nga zoti Buffett ka qenë 3.61 miliardë dollarë në vitin 2019, kur çmimi i aksioneve të kompanisë së tij ishte më i lartë.

Megjithëse zoti Buffett ka dhuruar 48% të aksioneve të tij në kompaninë Berkshire, ai ende zotëron rreth 15.2% të këtij konglomerati me qendër në Omaha të shtetit Nebraska dhe kontrollon gati një të tretën e paketës së tij votuese.

Revista Forbes tha të martën se zoti Buffett ka ende një pasuri prej 71.4 miliardë dollarësh, duke u renditur i shtati në të gjithë botën.

Themeluesi i firmës Amazon.com Jeff Bezos renditet i pari me 178.1 miliardë dollarë, ndërsa bashkëthemeluesi i kompanisë Microsoft Bill Gates vjen i dyti.

Gates, një mik i vjetër i zotit Buffetit, këtë vit i dha fund pjesëmarrjes së tij 16-vjeçare në bordin e firmës Berkshire për tu përqendruar tek fondacioni i tij.

Konglomerati Berkshire zotëron më shumë se 90 biznese, si hekurudhat BNSF, firmën e sigurimit Geico dhe prodhuesin e akulloreve Dairy Queen.

Ajo zotëron gjithashtu dhjetëra aksione të bursës, duke përfshirë aksione të firmës Apple me vlerë prej më shumë se 93 miliard dollarësh. /VOA