BSH mban të pandryshuar normën e interesit, Sejko: Presim ulje të inflacionit

BSH mban të pandryshuar normën e interesit, Sejko: Presim ulje të inflacionit

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi që të mbajë të pandryshuar normën e interesit të lekut, në 3.25%.

Ndërkohë të pandryshuara do të mbahen edhe norma e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 4.25% dhe norma e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 2.25%.
Në një deklaratë, guernatori Sejko theksoi se qëndrimi i politikë monetare është konsistent, ndërsa theksoi se presionet e larta inflacioniste nga ekonomia e brendshme mbeten faktor rreziku për stabilitetin e çmimeve.

Rreferuar të dhënave të INSTAT, Sejko u shpreh se vëllimi i aktivitetit ekonomik u rrit me 3.5% në tremujorin e tretë të vitit të shkuar. Sipas tij, të dhënat e disponuara sugjerojnë se rritja ekonomike do të qëndrojë në nivele të ngjashme edhe gjatë tremujorit të katërt.

“Inflacioni parashikohet të vijojë të reduktohet më tej gjatë vitit në vazhdim dhe të kthehet në objektiv në tremujorin e fundit të tij. Ky reduktim do të pasqyrojë ecuri më të balancuar të kërkesës dhe të ofertës agregate në ekonominë vendase, si dhe reduktimin e mëtejshëm të inflacionit në partnerët tanë tregtarë.

Ky vendim u mor në bazë Raportit të Politikës Monetare për tremujorin e parë, ndërsa pikat e mëposhtme tregojnë detajet:


-Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi nivelin mesatar prej 3.9% në tremujorin e katërt, me një rënie të lehtë kundrejt tremujorit paraardhës. 
-Në aspektin makroekonomik, rënia e inflacionit gjatë tremujorit të katërt pasqyroi rënien e presioneve të brendshme inflacioniste. 

-Megjithatë, edhe pse në rënie, presionet e brendshme inflacioniste mbeten relativisht të larta dhe nuk janë ende në linjë me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve..

-Sipas të dhënave të INSTAT-it, vëllimi i aktivitetit ekonomik u rrit me 3.5% në tremujorin e tretë të vitit të shkuar. 

-Në ndryshim nga tremujorët paraardhës, rritja ekonomike gjeti një mbështetje më të lartë nga kërkesa e huaj dhe – në veçanti – nga rritja e shpejtë e sektorit të turizmit. 

-Zgjerimi i kërkesës për mallra e shërbime e ka shtyrë ekonominë në një fazë pozitive të ciklit të biznesit.

-Politika monetare ka pasur një rol të rëndësishëm në kontrollin e inflacionit dhe në ruajtjen e stabilitetit të përgjithshëm monetar e financiar të vendit.

-Në përgjigje të kushteve stimuluese të ofertës dhe kërkesës së lartë për financim, kredia për sektorin privat u rrit me 10% gjatë vitit 2023. 

-Përditësimi i parashikimeve sugjeron vijimin e trendeve pozitive ekonomike edhe në të ardhmen.

-Ekonomia shqiptare do të vijë në rritje, e nxitur nga zgjerimi i mëtejshëm i konsumit, investimeve dhe eksportit të shërbimeve. 

-Nga ana tjetër, inflacioni parashikohet të vijojë të reduktohet më tej gjatë vitit në vazhdim dhe të kthehet në objektiv në tremujorin e fundit të tij.

Këshilli Mbikëqyrës vëren se qëndrimi aktual i politikës monetare është konsistent me pritjet tona të skenarit bazë. Sipas tyre presionet e larta inflacioniste nga ekonomia e brendshme mbeten një faktor rreziku për stabilitetin e çmimeve në vend.