Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati ka përjashtuar mundësinë e përfshirjes së tij në partinë e Albin Kurtit në Kosovë, ‘Vetëvendosje’.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bushati e ka cilësuar lajmin e botuar në median kosovare si të pavërtetë.
“Lajmi” i botuar në një portal në Kosovë është thjesht mashtrimi i radhës. Kushdo që qëndron pas këtij mashtrimi, i uroj suksese në jetë! Fake news”, shkroi ish-ministri.
Më herët, mediat në Kosovë shkruanin se përfshirja zyrtare e Bushatit në Lëvizjen Vetëvendosje është shtyrë deri më tani për shkak të shtetësisë së Kosovës.
“Për ta zyrtarizuar aderimin e Bushatit në Lëvizjen Vetëvendosje, burimet e Gazetës Metro tregojnë se Vjosa Osmani është duke bërë presion mbi institucionet e sigurisë që t’i përshpejtojnë procedurat e verifikimit për Ditmir Bushatin, të cilat janë parakusht për t’ia dhënë atij nënshtetësinë e Kosovës”, shkruan media në Kosovë.